Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Ndërtimi arriti rekordin historik në 2021, vrulli pritet të vazhdojë me ritme më të larta

Shkruar nga Newsbomb
Ndërtimi arriti rekordin historik në 2021, vrulli pritet të

Sektori i ndërtimit ka njohur rritje të fortë vitet e fundit, pas rënies ciklike që kishte nisur nga 2008, duke arritur një rekord të ri në vitin 2021.

Sipas të dhënave të INSTAT, Produkti i Brendshëm bruto (PBB) i sektorit të ndërtimit, i matur me çmime korente, që vlerëson transaksionet ekonomike të sektorit arriti në 180 miliardë lekë (1.5 miliardë euro) në vitin 2021, duke shënuar një nivel rekord historik.

Pas ndryshimeve të tranzicionit, nga fillimi i viteve ’90, pjesa më e madhe e kapitalit të lirë në vend ka shkuar për të ngritur apartamente e banesa private. Zhvillimet e vrullshme demografike dhe zhvendosja e popullatës nga zonat rurale në ato urbane e nxitën këtë tendencë, që kulmoi në ciklin rritës deri në vitin 2008.

Pas kësaj periudhe, ky sektor hyri në një cikël maturimi dhe rënieje, duke reflektuar ngopjen e tregut dhe orientimin e bizneseve drejt sektorëve të tjerë. Në vitin 2013, ndërtimi arriti në nivelin më të ulët që prej 2005-s.

Por, pas vitit 2013, ndërtimi iu kthye sërish rritjes i nxitur si nga projektet e infrastrukturës ashtu dhe nga rikthimi i vrullit të projekteve rezidenciale, sidomos në kryeqytet, për të arritur një rekord të ri në 2021-n.

Kjo tendencë pritet të vijojë, bazuar në sipërfaqen e lejeve të ndërtimit në 2021 dhe 6 mujorin e parë 2022. Sipas INSTAT, në vitin 2021, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet ishte 1.6 milionë metra katror, nivel rekord të paktën që nga viti 2010 kur raportohen të dhënat, nga të cilat gati 80% ishin për ndërtime rezidenciale.

Po sipas INSTAT, vetëm në 6-mujorin e parë 2022 u dha në kryeqytet gati 1.2 milionë m2 sipërfaqe leje ndërtimi, ose sa 75% e sipërfaqes së dhënë për gjithë vitin 2022 (shiko grafikun: Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit dhënë në Tiranë, 6 M I).

Edhe sektori i pasurive të paluajtshme ka përshpejtuar ritmet e rritjes duke filluar nga 2018-a. Sipas INSTAT, PBB me çmime korente në aktivitetin e real estate arriti në 112 miliardë lekë (gati 1 miliard euro) në 2021-n, duke arritur nivelin m ët ëlartë historik të pas tranzicionit.

Pak ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në deklaratën e fundit për Shqipërinë, ka këshilluar që të tregohet kujdes për ndikimin që mund të ketë vrulli i ndërtimeve dhe zgjerimi i tregut të pasurive të paluajtshme në stabilitetin e sektorit financiar.

“Ne bëjmë thirrje për monitorim nga afër dhe menaxhim të rreziqeve të mundshme nga rritja e lartë e kreditimit gjatë viteve të fundit, përfshirë huadhënien e rritur në monedhë të huaj.

Në këtë kuadër, mirëpresim përpjekjet e BSH për të adresuar mungesën e konsiderueshme të të dhënave mbi tregun e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimin, si dhe bëjmë thirrje për mbikëqyrje të shtuar të ndikimit të këtij sektori mbi stabilitetin financiar”, thuhet në deklaratën zyrtare.

PBB-së me çmime korrente- INSTAT: “Të gjitha transaksionet ekonomike janë rezultat i llogaritjes së sasive të ndryshme të produkteve dhe çmimeve të prodhimit dhe shitjes. Duke mbledhur të gjitha transaksionet e caktuara merret vlera e përgjithshme për një periudhë të caktuar. Kur vlerat e dy periudhave të krahasohen, ato njëkohësisht do të reflektohen si në çmim ashtu dhe në sasi. Këto vlera shprehen me çmimet korrente”./Monitor

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese