Hapësire reklamuese

Aktualitet

E TRISHTË/ Ndërron jetë shkrimtari dhe albanologu i shquar, Kapllan Resuli

Shkruar nga Newsbomb
E TRISHTË/ Ndërron jetë shkrimtari dhe albanologu i shquar,

Ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare shkrimtari dhe albanologu Kapllan Resuli.

Lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit e ka bërë me dije Bujar Hudhri, themeluesi i Shtëpia botuese “Onufri”. Resuli ka ndërruar jetë në një spital në Gjenevë.

Kapllan Resuli i njohur edhe si Kaplan Burović ka qenë ndër shkrimtarët e parë në prozë mes shqiptarëve të Jugosllavisë. Pasi u burgos në Jugosllavi, u kthye në Shqipëri ku po ashtu u internua dhe më tej u burgos për 20 vite të tjera.

Ai është autor i 135 veprave. Vepra që e bëri të njohur dhe të nderuar për lexuesin shqiptar shkrimtarin e talentuar Kapllan Resulin ishte romani Tradhtia. Kjo vepër e gjen zanafillën në kampin e përqëndrimit të të burgosurve në Idrizovo, rreth 10 km larg Shkupit, ku edhe lindi dhe u strukturua si vepër e si roman.

Bujar Hudhri, ka teguar dhe një histori të Resulit dhe Ismail Kadaresë.

NJË FOTO ME KADARENË DHE KAPLLAN RESULIN

Lajmi se në Gjenevë ka ndërruar jetë shkrimtari Kapllan Resuli më kujtoi një episod që nuk më hiqet nga mendja.

Ishim në panairin e librit në Ulqin dhe atëbotë i ftuar nderi ishte Kadare dhe zonja e tij, Helena. Duhet të ketë qenë viti 2003, mbase.

Pas stendës Onufri, ku Kadare qëndronte gjithë kohën duke dhënë autografe, ishte një stendë e veçuar, e cila kishte vetëm tre libra, ku titujt lexoheshin qartë edhe nga larg: Kapllan Resuli - “Fytyra e vërtetë e Kadaresë”, i botuar në tri gjuhë, shqip, frëngjisht dhe serbisht.

Dhe pranë kësaj stende ishte ulur një burrë i qetë, që nuk fliste asnjë fjalë dhe pothuaj nuk lëvizte fare nga vendi, si një statujë.

Ishte Kapllan Resuli,  autori i librit, dora vetë!

E kisha parë vetëm në fotografi, megjithatë nuk e pata të vështirë ta njihja, por çuditërisht nga afër m’u duk shumë paqësor. Mbase përfytyrimi im lidhej me gjithçka dija rreth jetës së tij të vështirë si edhe nga shkrimet e egra kundër Kadaresë në shtypin serb, sa herë vinte tetori i Nobelit.

Ja pra, ishin kaq afër, pothuaj dy metra, Kadare dhe Kapllan Resuli. Madje, dukeshin edhe më afër sepse te stenda e Kapllan Resulit nuk vinte asnjë vizitor, ndërkohë që te Kadare nuk kishte të mbaruar radha e gjatë e lexuesve që kërkonin autograf.

Ishte një pamje shumë e bukur, po ta kundroje nga larg. Dielli po perëndonte, rrezet e tij të binin në sy nëse do të doje të bëje fotografi. E ndieja këtë, sepse sa herë lexuesit donin të bënin foto, Kadare bezdisej gjithmonë dhe vinte pëllëmbën e dorës për t’u mbrojtur nga rrezet.

Pikërisht, në këtë kohë, një zotëri, që sapo mori autografin nga Kadare, m’u drejtua gjithë respekt: a mund t’i thuash Kadaresë vetëm sa ta përqafoj një herë.

Duke e ditur se sa bezdi i ka Kadare këto sjellje, këmbëngula se nuk kishte kuptim që dy burra të përqafohen. Po mirë, më tha, një foto atëherë, mos më kundërshto. Iu luta Kadaresë dhe gjithë përtim ai pranoi.

Mora aparatin e zotërisë dhe i nxora fotografi. Dhe në sfond, kurrë nuk kam për ta harruar, midis të dyve zuri vend koka e Kapllan Resulit dhe libri i tij kundër Kadaresë.

Pasi i ktheva aparatin fotografik, zotëria shkoi dhe u ul te stenda e Kapllanit dhe po i tregonte atij foton në aparat. Seç biseduan me njëri tjetrin nuk e mora vesh.

Por, u bëra shumë kureshtar dhe vajta drejt e te stenda dhe e pyeta se kush ishte:

-   Unë jam vëllai prej nëne dhe prej babai i këtij burri. Ne jemi rritur me veprat e Kadaresë. Gjithë jetën. Gruaja ime e  ka dhënë mësim, se është mësuese e letërsisë, ndërsa vajza studion letërsi në universitet, në Podgoricë.

Duke parë hutimin tim nga që nuk munda t’i them asnjë fjalë, më tha gjithë trishtim:

-   Kapllani ka qenë shkrimtar, gjithë jetën e ka dashur Shqipërinë, por Shqipëria juaj e kalbi në burg! Ia gjymtoi jetën, deri sa e çmendi fare!

Ndenjëm të heshtur të tre njëfarë kohe.

Ndërkohë Kadare përballej me vargun e pafund të lexuesve, tashmë rrezet e diellit në perëndim skuqnin qiellin mbi kullën e Balshajve.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu