Ish-deputetët Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, të cilëve një javë më parë iu ndërpre mandati i deputetit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kanë ankimuar të mërkurën në Gjykatë Administrative vendimin e KQZ-së, duke kërkuar shfuqizimin e tij.
Ish-deputeti Selami, i zgjedhur në qarkun e Vlorës, thotë se nuk e paragjykon vendimin, por do të kërkojë të drejtën e tij në të gjitha shkallët e gjyqësorit, siç ia garanton ligji.
Në kërkesën e depozituar në Gjykatë, Selami ankohet se KQZ nuk e ka shqyrtuar çështjen e tij në themel. Ai thekson se akuzohet për një çështje të pushuar nga shteti italian, vendi që dhe ka ngritur akuzën ndaj tij.
Ndërsa ankimimi i ish-deputetit Tahiri, edhe ky i zgjedhur në qarkun e Vlorës, është bërë më 30 dhjetor, pranë Kolegjit Zgjedhor. Avokati i tij, Fatmir Braka thotë se shumë shpejt do ta ankimojë çështjen edhe në Gjykatën Administrative.
Më 29 dhjetor KQZ vendosi për shpalljen të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit për deputetët Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, si dhe per kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.
Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, që kërkonte ndërprerjen e mandateve për zyrtarët e mësipërm, pasi ishin në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, KQZ u shpreh se të tre subjektet janë të parashikuar në ligjin ‘Për dekriminalizimin’.
Vendimi i KQZ-së parashikon ankimimin në Gjykatë.