Dy të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak pritet të vijnë në Prishtinë në fillim të muajit Shkurt, sipas burimeve diplomatike të REL.
Por zëdhënësi i BE-së për Politikën e Jashtme, Peter Stano, nuk ka dhënë një përgjigje konkrete nëse Lajcak e Escobar do të udhëtojnë së bashku në Kosovë e Serbi në fillim të muajit të ardhshëm, shkruajnë mediet në Kosovë.
“Takimet dhe udhëtimet e të dërguarit të posaçëm të BE-së janë pjesë përbërëse e punës së tij të përditshme, të cilat ne nuk i komentojmë e as paralajmërojmë nga selia në Bruksel. Nëse i dërguari i posaçëm shkon për të takuar partnerët në rajon, njoftimet për media bëhen nga delegacionet përkatëse në terren, nëse një gjë e tillë është e përshtatshme”, ka thënë Stano për mediet kosovare.
Vizita e Escobar dhe Lajçak do të jetë në kuadër të përpjekjeve për të vijuar me dialogun Kosovë-Serbi.