Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i ka akorduar sot dekoratën e lartë "Nderi i Kombit", Prof.Dr. Panajot Bogën, emblemën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë shqiptare, kirurg dhe shkencëtar i përmasave europiane.
Meta shprehet se Boka ka lënë pas një trashëgimi të vyer dhe të respektuar nga të gjithë.
“Kënaqësi e veçantë të vlerësoja me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” një prej kolosëve të mjekësisë sonë, Prof.Dr. Panajot Bogën, emblemën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë shqiptare, kirurg dhe shkencëtar i përmasave europiane.
Duke lënë pas një trashëgimi të vyer dhe të respektuar nga të gjithë, Prof.Dr. Boga është një shembull frymëzimi për bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij, veçanërisht për gjeneratat e reja të mjekëve shqiptarë, si modeli i kirurgut unikal, i cili punoi deri në moshën 87-vjeçare, me përkushtim dhe humanizëm të rrallë në shërbim të njerëzve në nevojë,” shkruan Meta.
Kujtojmë që Boga ka ndërruar jetë 3 muaj më parë.