Nuk është vetëm anija më e vjetër dhe më e admiruar e Marinës Italiane, por është edhe anija më e bukur në botë.
Ditën e djeshme, anija “Amerigo Vespucci” është ankoruar në portin e Durrësit, si pjesë e projektit të diplomacisë detare nga ana e Ambasadës italiane në Tiranë. Të pranishëm në ceremoni ishin Zëvendës Ambasadori, Luigi Mattirolo dhe Atasheu Ushtarak, Kolonel Nicola Piccolo.
Si anija më e bukur në botë u vendos në 1962 kur u takua në Mesdhe me aeroplanmbajtësen amerikane USS Indipendence, e cila duke parë një siluetë në radar kërkoi informacionin: Kush jeni? Përgjigja pasuese ishte: Amerigo Vespucci, marina italiane.
Pas kësaj, aeroplanmbajtësja amerikane fiku motorët, ndërpreu lundrimin dhe lëshoi tre shpërthime sirene në shenjë përshëndetje duke u përgjigjur: Jeni anija më e bukur në botë!
Fama e saj erdhi gjithmonë duke u rritur edhe për shkak të bëmave të komandantëve të saj. Sikurse ajo e admiral Agostino Starulino në 1965 që bëri hyrjen triumfale duke lundruar plotësisht me vela.
⛵️ “Amerigo Vespucci”, anija më e bukur në 🌍, u ankorua dje në portin e #Durrësit, në kuadër të “diplomacisë detare” e cila është një nga përsosmëritë e 🇮🇹. Të pranishëm ishin Zëvendës Ambasadori, Luigi Mattirolo dhe Atasheu Ushtarak, Kolonel Nicola Piccolo. pic.twitter.com/YJrHrCUR31
— Italy in Albania (@ItalyinALB) October 17, 2022
Ideja e anijes lindi në gjysmën e dytë të viteve 1920 kur marina italiane vendosi të ndërtonte një anije që do ti lejonte studentet të mësonin sekretet e detit dhe të erës, një anije me vela ku manovrat do të kryheshin me dorë.
Amerigo Vespucci është anije me vela me motorr dhe tre shtylla vertikale. E gjatë është 101 metra dhe 4000 tonë, me një shpejtësi maksimale 10 nyje me motorr dhe 16 me vela. Ka një ekuipazh prej 270 burra dhe gra dhe mund të mbajë 400 persona në bord.