Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me pikëllim të thellë ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit Mirush Kabashi.
Me ana të një postimi në rrjetet sociale, Kurti shkuan se aktori i mirënjohur do të kujtohet kujtohet gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe.
“Me pikëllim nisi kjo e martë, nga lajmi i mëngjesit të sotëm që në orët e hershme të këtij 5 dhjetori, ka vdekur Mirush Kabashi, aktori i madh shqiptar i teatrit dhe i kinemasë. Mbi një qind role të luajtura në skena teatrore dhe në sheshxhirime filmash, gjatë një karriere më shumë se gjysmëshekullore të gjatë, tregojnë për aftësitë e larta profesionale të Mirush Kabashit si edhe për shpirtin e fuqishëm artistik të tij prej aktori.
Për brezat që e panë duke luajtur në skenë, Mirush Kabashi do të kujtohet gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe. Pasi ta keni parë një herë Mirush Kabashin duke e interpretuar poezinë e Fan Nolit “Hymni i flamurit”, sa herë që t’i lexoni vargjet “O flamur gjak, o flamur shkabë…”, do t’iu rikthehet zëri i tij aq i fortë duke e recituar këtë poezi në shumë skena dhe evente.
Mirush Kabashi ishte “Sokrati” i vërtetë, te “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis. Mirush Kabashi e solli aq të gjallë Sokratin, madje duke i përngjarë pamjeve të skulpturave antike greke për Sokratin me mjekrrën dhe flokët e shpupurisura si dhe duke i folur me zërin e tij fjalët e atij që foli aq shumë pa shkruar ndonjëherë asnjë fjalë, Sokratit!
I lindur më 17 prill 1948 në Shkodër por me origjinë nga Gjakova, ky shpirt artisti nga fisi i Kabashit, iu falë gjithë kulturës e popullit shqiptar nëpërmjet artit të tij dramatik. Ngushëllime familjes Kabashi, kolegëve të tij të lojës dhe të skenës, mes nderimesh e kujtimesh për mjeshtrin e aktrimit, Mirush Kabashin”, shkruan Kurti.
Aktori Murish Kabashi u nda nga jeta në moshën 75 vjeçares. Lajmin e hidhur e bënë të ditur vetë familjarët e aktorit, duke thënë se ai vdiq pas mesnatë më 5 dhjetor.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës, ndërsa është fitues i çmimit Artist i Merituar i Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 personazhe në teatër dhe 20 në filma.Origjina e tij është nga Gjakova. Me 1970 u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tirane dhe filloi punë në teatrin “Aleksander Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993.
Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. Një pjesë të jetës së tij Kabashi ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.