Hapësire reklamuese

Aktualitet

Ndarja nga jeta e Besim Zekthit, Meta mesazh ngushëllimi: Lamtumirë Kryeshqiponja e valles së Shqipeve

Shkruar nga Newsbomb
Ilir Meta

Ditën e sotme është ndarë nga jeta mjeshtri i valleve popullore Besim Zekthi, ndërsa ka reaguar edhe Presidenti Meta, ku i shpreh ngushëllime familjarëve të artistit të madh.

Meta shprehet se arti shqiptar humbi sot një prej personaliteteve më të shquara, që me krijimtarinë e tij koreografike, e bëri edhe më të famshëm identitetin dhe kulturën kombëtare në mbarë botën.

"Edhe në periudhën më të errët të izolimit të vendit, virtuoziteti i Besim Zekthit dhe i artistëve si ai, arriti të lartësonte kulturën e popullit shqiptar dhe identitetit tonë europian edhe në skenat më prestigjoze botërore, ku mori të gjithë vlerësimin e merituar", shkruan Meta ndër të tjera.

Presidenti Meta në vitin 2017 nderoi me Dekoratën e Lartë "Nderi i Kombit" Besim Zekthin.

Postimi i Metës:

LAMTUMIRË KRYESHQIPONJA E VALLES SË SHQIPEVE, BESIM ZEKTHI!

Ndarja nga jeta e emblemës dhe solistit të pakrahasueshëm të Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të Kombit, Besim Zekthi është thellësisht trishtuese.

Falë talentit të spikatur dhe interpretimit të lartë e virtuoz si askush tjetër, ai i dha valles shqiptare, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, të gjithë shkëlqimin e merituar, duke u duartrokitur dhe vlerësuar nga shumë gjenerata.

Arti shqiptar humbi sot një prej personaliteteve më të shquara, që me krijimtarinë e tij koreografike, e bëri edhe më të famshëm identitetin dhe kulturën kombëtare në mbarë botën.

Edhe në periudhën më të errët të izolimit të vendit, virtuoziteti i Besim Zekthit dhe i artistëve si ai, arriti të lartësonte kulturën e popullit shqiptar dhe identitetit tonë europian edhe në skenat më prestigjoze botërore, ku mori të gjithë vlerësimin e merituar.

Falë emocioneve të papërshkruara në interpretimin e valleve ai rriti krenarinë, optimizmin dhe vetëbesimin e kombit tonë për ditë më të mira, mbështetur fort në rrënjët e traditave dhe vlerave më të mira kulturore e artistike të trashëguara brez pas brezi.

Përjetësisht krenarë e mirënjohës për kontributin e Besim Zekthit për promovimin denjësisht të pasurisë sonë kulturore kombëtare, duke i përçuar vlerat e saj tek brezat e artistëve të rinj dhe duke u shndërruar në një shembull të përjetshëm frymëzimi.

Ngushëllimet më të përzemërta familjes Zekthi, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe mbarë komunitetit të artistëve.

Vepra dhe kujtimi i Tij do të mbeten të paharruara!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu