Nga Françeska Kordalli
Ashtu si nëpër përralla, kjo histori do të fillojë me “Na ishte një herë…”, historia e dashurisë së madhe të Princ Lekës me vajzën çapkëne të grupit “Spirit Voice”, e cila nga koncertet dhe sallat e mëdha të teatrove franceze përfundoi duke veshur këpucët e Princeshës.
Ëndrrën e mijëra vajzave, të cilat në vogëlinë e tyre dëshironin symbyllurazi Princin e tyre të famshëm, e preku nga afër, u dashurua dhe e jetoi artistja Elia Zaharia, që tanimë është Princesha Elia Zaharia Zogu. Historia e tyre e dashurisë ishte fiks si ato dashuritë e mëdha me shikim të parë, që sapo sytë i shohin, zemra i gdhend thellë, dhe, shpreson që ta takojë përsëri.
Ishte viti 2002, atëhere kur Princ Leka sapo ishte kthyer në Shqipëri, ndërsa Elia po përgatitej për të ikur jashtë vendit për të ndjekur studimet. Atë vit ata u takuan krejt rastësisht, nëpërmjet miqve të tyre të përbashkët. Pas largimit me studime në Francë, takimi i radhës ishte në vitin 2008, sërish në një festë, ku Princi dhe Elia ishin sërish të ftuar.
Kësaj here “ura lidhëse” ishte pikërisht e ëma e Elias, e madhja Yllka Mujo. Mes dhjetëra të ftuarve, Princ Leka, i cili njihet për edukatën dhe xhentilesën, u afrua të takonte aktoren dhe më pas nuk humbi kohë për t’i folur vajzës që shumë vite më parë ishin përshëndetur gjatë një feste mes miqsh. Aty shkëmbyen numrat e telefonit dhe nga ai moment filloi gjithçka. Në një intervistë të dhënë dikur Princeshë Elia ka zbuluar se verën e 2008-ës takimet me Princin kanë qenë të shpeshta.
Takime pas takimesh, lindën shumë miq të përbashkët, derisa po atë verë u organizuan me ta për pushime në jug të Shqipërisë dhe kështu nisi e gjithë historia e tyre e dashurisë, nga bisedat miqësore, tek diçka më shumë. Vajza që kishte krijuar një jetë në Paris, ku punonte në administratën e një teatri, aktronte në sallat franceze, nuk e kishte men[1]duar asnjëherë që gjatë pushimeve të verës do të gjente dashurinë dhe do të linte “peng” zemrën e saj në Shqipëri. Dy vitet e para të lidhjes Elia i ka përshkruar si të vështira, por pas shumë përpjekjesh dashuria bashkoi dy rrugët e tyre duke i bërë në një të vetme.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e ri të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg sot dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…