Trembëdhjetë persona janë ndaluar për ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, më 15 Dhjetor në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin. Mes tyre, janë drejtori i emëruar pak kohë më parë i këtij institucioni, Kamber Hoxha dhe disa anëtarë të stafit.
Ata janë ndaluar dhe po merren në pyetje nën dyshimet se kanë neglizhuar me ose pa qëllim elemente të caktuara të sigurisë, çka solli dhe ngjarjen e djeshme.
Nga të shtënat me armë në Burgun e Peqinit, humbi jetën i dënuari me burg përjetë Arben Lleshi dhe u plagos aksidentalisht në këmbë shoku i tij i qelisë, Indrit Shaqja. Autori i të shtënave është neutralizuar një orë më vonë dhe është i dënuari tjetër përjetë, Sokol Mjacaj.
Ky i fundit ka deklaruar në dëshminë e tij para kryeprokurorit të Elbasanit se vrasjen e Lleshit e kishte kryer pasi ai nuk e kishte pranuar në sektor.
“Jemi konfliktuar aty për aty me Arben Lleshin. Nuk më pranoi në sektor. Armën e kam futur para 20 ditësh apo një muaj”, është shprehur autori i të shtënave në Burgun e Peqinit. Megjithatë, ky mbetet vetëm një pretendim i Sokol Mjacaj, pasi grupi hetimor ka dyshime mbi vërtetësinë.
Prej ditës së djeshme, është artikuluar në media se i riu nga Dukagjini mund të jetë paguar nga persona të tjerë për të ekzekutuar brenda në burg Arben Lleshin. Kjo përforcohet dhe nga fakti se dje para ngjarjes, ministri Manja ka deklaruar se kishte firmosur urdhrin për transferimin e autorit në regjimin special "41 BIS".
Pavarësisht se u tha se pistoleta që Sokol Mjacaj kishte në qeli mund të ishte futur atje me dron, dyshohet se arma ka kaluar dorazi dhe e plotë. Pra, arma ka kaluar rregullisht sikur të ishte mjet i lejuar në një burg të sigurisë së lartë dhe e pa copëzuar.
Ngjarja e rëndë ka nxjerr në pah dhe një problematikë tjetër në këtë burg. Një pjesë e kamerave të sigurisë dhe e skanerit nuk punonin prej kohësh. Kjo ka krijuar hapësira, ndoshta, dhe për të dënuarit e tjerë për të futur sende të palejuara në qelitë e tyre.