Ditën e sotme, më 1 shkurt hyri në fuqi vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat me Euronë dhe ndalimi i qarkullimit në treg të dinarit serb.
Për vendimin nga Banka Qëndrore e Kosovës BE kërkoi një periudhë tranzicioni më të gjatë dhe që vendimi mos pezullohej, por të shtyhej në kohë.
Por vendimi hyri në fuqi, për këtë ka reagur dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili thotë se faza tranzitore ka nisur që në dhjetor të vitit të kaluar dhe gjithçka ka shkuar në rregull.
Kurti shtori se Banka Qendrore e Kosovës është institucion i pavarur, nuk mund t’i mbivendosen politikanët dhe nëse do të ketë ndonjë vërejtje a ankesë për vendimin e heqjes së dinarit, do e adresojnë sa më shpejt.
Brukseli prej disa ditësh i bëri thirrje Prishtinës që të sigurojë një periudhë të gjatë kohore tranzicioni për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje përmes negociatave në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Edhe të dielën, ambasadat e vendeve të QUINT-it ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, i kanë bërë të njëjtën kërkesë Kosovës në lidhje me pezullimin e vendimit për ndalimin e përdorimit të Dinarit serb në territorin e Kosovës.
Edhe pse nga zyrtarët ndërkombëtarë është kërkuar që të shtyhet ky vendim, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili ka deklaruar se nuk do të ketë shtyrje të ndalimit të qarkullimit të Dinarit serb. Ai theksoi se përdorimi i monedhave të tjera përveç Euros është i kundërligjshëm.
Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar.
Ekzekutivi kosovar tha se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.
Megjithatë, nga 1 shkurti nuk do të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin, nuk janë të licencuara nga BQK-ja.