Adush Civeja ishte ustai i këpucëve të Beratit. Sot është ndarë nga jeta krejt papritur, ndërkohë që ka mbetur në memorien e qytetarëve të Beratit.
E kush nuk e ka njohur, të gjithë, njëherë të vetme ka rregulluar këpucët te ustai i qytetit. Pak muaj më parë, në një intervistë për TCH ai rrëfeu rrugëtimin e tij si usta i këpucëve në Berat, duke u thënë gazetarëve se profesionin e tij nuk e ndërronte as me atë të të qenurit kryetar bashkie në qytet.
“E kam filluar këtë profesion që kur isha 15 vjeç, dhe e vazhdoj edhe tani që më janë rritur djemtë” tha ai në intervistën e tij për TCH kohë më parë.
E prej kësaj interviste, Adushi që ishte i njohur nga të gjithë beratasit, u bë i njohur thuajse në gjithë Shqipërinë, pas tregimit plot pasion për profesionin e vet të këpucarit.