Kush e ka takuar njëherë në jetë, nuk ka pasur mundësi të mos mendojë se do të miqësohej shumë shpejt me Ilir Dashin, djalin kurajoz, që karrierën e tij fillimisht e filloi si aktor filmash, e vazhdoi si biznesmen me përfaqësinë e kompanisë Orbit, dhe hoqi dorë prej saj pasi mori një ftesë nga LSI për të qenë përfaqësues i kësaj force politike, së cilës, i shërbeu në disa detyra të rëndësishme shtetërore, që nga kryetar i LSI në Tiranë, drejtor në Bashkinë Tiranë, ish-drejtor i QSUT, më vonë drejtor i Hekurudhave etj.
Por shumë shpejt, për të filluan telashet nga politika, u harrua dhe u bojkotua. Ndaj zgjodhi që bashkë me Estelën, bashkëshorten e tij, të largoheshin nga Shqipëria, drejt Afrikës, ku Stela, kishte fituar në një projekt ndërkombëtar.
E pikërisht në kontinentin e largët, mori vesh për sëmundjen e pashërueshme që po ia merrte ditët një nga një. Ndaj vazhdoi andej dhe për pak kohë, për të vendosur pak javë më parë të kthehej në mënyrë përfundimtare në Shqipëri, që ditët e fundit të jetës, t’i kalojë pranë të dashurve dhe të vdiste në vendin e tij.
Kështu, ditën e sotme, me dhimbje, miq e shok ndajnë lajmin tragjik të largimit të tij të parakohshëm nga jeta. Ceremonia e varrimit për ti dhënë lamtumirën e fundit do të mbahet nesër, të hënën, në 20 shtator në orën 11.00.
Edhe stafi i newsbomb.al bashkohet me ngushëllimet e familjarëve, miqve dhe të afërmëve për humbjen e të dashurit të tyre.
Ilir Dashi në Afrikë, ku jetonte prej më shumë se 1 viti:
Ilir Dashi si aktor në një film shqiptar