
Dalan Buxheli, sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut, është ndarë nga jeta këtë të premte. Ai ka lindur në fshatin Kuç të Kurveleshit dhe ka ndërruar jetë sot, në moshën 94 vjeçare.
Gjithë pjesëtarët e familjes, prindërit Rrapo e Zilo Buxheli, si dhe 4 djemtë e tyre kanë luftuar kundër pushtuesve nazifashistë. Vëllai, gjyshi e vjehrri janë dëshmorë të LANÇ-it. Vetë Dalan Buxheli në moshë të re kontribuoi si veprimtar i organizatës së rinisë komuniste në zonën e Kuçit të Kurveleshit.
Miqtë dhe familja kanë dhënë sot lajmin e trishtë, për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur.
Dalan Buxheli ishte veteran i LANÇ-it dhe mbante 5 medalje dhe urdhra të luftës, dekoratë të Këshillit të Ministrave “60 Vjetori i çlirimit të Atdheut”, Certifikatë “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”, titullin “Nder i Organizatës për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut”, titullin “Nder i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”, titullin “Veprimtar i Shquar që i Shërben Lavdisë së Atdheut” nga Shoqata Kombëtare e Invalidëve të LANÇ, titullin “Besnik ndaj vlerave që shpreh dhe mbron Shoqata patriotike-kulturore “Myslim Peza”, si dhe titullin “Nder i Organizatës së dëshmorëve të Qarkut të Gjirokastrës”.
Në Kuvendin II Kombëtar të shoqatës së Dëshmorëve të Atdheut të mbajtur më 5 prill 2000, u njoftua se Këshilli i Ministrave kishte miratuar Statusin e Familjeve të Dëshmorëve dhe nga shoqatë kalohej në organizatë, ku Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Dalan Buxheli.
Nga kjo kohë, Dalan Buxheli ka qëndruar korrekt në zbatimin e statutit dhe të detyrave që shpreheshin për Organizatën e Dëshmorëve. Zëri i tij është dëgjuar në të gjithë Shqipërinë për mbrojtjen e idealeve të dëshmorëve dhe për lartësimin e figurës së tyre.