Anesti Bezhani, Anëtar Nderi i Kryesisë së Dhomës së Tregtisë Vlorë, ka ndërruar jetë dje më 9 Shkurt, shkruan newsbomb.al. Ai ishte një nga themeluesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Vlorë dhe konsiderohej si një prej ekonomistëve dhe financierëve më të mirë të vendit.
Homazhet për Anesti Bezhanin do të zhvillohen sot më datë 10 shkurt, ora 10.00-12.00 në ambientet e Dhomës së Tregtisë Vlorë, pranë Pallatit të Kulturës.
Lidhur me vdekjen e Bezhanit ka reaguar dhe ekonomiste e ish-ministri socialist Arben Malaj. Teksa i shpreh ngushëllime familjes së Bezhanit, ai thotë se ka qenë me fat që e ka njohur dhe që ka bashkëpunuar me Anesti Bezhanin.
“Nje lajm I trishte per vdekjen e Anesti Bezhani, nje prej ekonomisteve te jashtezakonshem ne shkalle kombetare. Perhere I qeshur dhe plote humor. Profesionalisht I pa arritshem. Me integritet dhe kurajo sfiduese edhe perpara viteve 90. E konsideroj vet me fat qe e njihja dhe qe bashkepunonim.
Nuk mbaj mend asnje dite qe Anesti te ishte I trishtuar apo pa dinamizmin dhe humorin e tij! Kam mesuar shume nga Anesti profesionalisht edhe sidomos ne manaxhimin e situatave te veshtira. Ngushellime familjes, miqeve dhe kolegeve! U prehte ne paqe !!! Perhere mirenjohes, Arbeni”, shkruan Malaj në Facebook.
Anesti Bezhani, një nga historitë më të suksesshme për qytetin e Vlorës
Pas çlirimit të Vlorës, kur Shkolla Tregtare hapi dyert drejt një epoke të re, një nga nxënësit e saj, ishte dhe Anesti Bezhani.
Një student i shkathët, që do të spikaste për nga vlerat dhe aftësitë e tij profesionale. Ai mbaroi studimet tek shkolla Tregtare, qysh në 1948 dhe u bë një nga ekonomistët e shkëlqyer dhe një financier i zoti, i cili do të kontribuonte shumë, gjatë gjithë jetës së tij...
Ndër vite Bezhani, jo vetëm mbajti poste shumë të rëndësishme por me punën dhe aftësitë e tij, ka arritur majat e suksesit si një nga financierët me të shquar duke qënë:
- I pari anëtar i Parlamentit Europian të Biznesit, përfaqësues i Shqipërisë në dy legjislacionet e fundit.
- Anëtar i përhershëm i Kryesisë së Dhomës së Tregtisë e Industrisë , Vlorë, që prej themelimit të saj.
- Anëtar i përhershëm i Kryesisë së Bashkimit të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë në dy dekadat e fundit.
- Anëtar i Kryesisë së Forumit të Biznesit Shqipëri - Itali, Shqipëri - USA dhe përfaqësues i Forumit të Ekonomistëve Shqiptarë në Samitin e "Crans Montana" nga vitet 2000 - 2010.
- Anesti Theodhori Bezhani është vlerësuar (5)pesë herë nga Kuvendi i Shqipërisë për merita pune me "urdhëra" e "çmime" të ndryshme.
- Në vitin 2016 i është dhënë titulli "Mirënjohje e Qytetit të Vlorës", akorduar nga Kryetari i Bashkisë Vlorë.
- Në vitin 2016 ka marr titullin "Nder i Labërisë" nga Klubi Labëria.
- Në vitin 2019 ka marr titullin "Mirënjohja e Qarkut Vlorë".
- Si anëtar i përhershëm i Kryesisë dhe Industrisë, Vlorë, Z. Anesti Bezhani i akordohet "Mirënjohje e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Vlorë" për kontribut të jashtëzakonshëm në mendimin ekonomik e tregtar dhe shembull morali e etike në biznes.