Politikani Nard Ndoka thotë se synimi i fshehtë i negociatave që po zhvillohen mes mazhorancës dhe opozitës është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tij, Amerika e ka detyruar kryeministrin shqiptar të ulet në bisedime me opozitën.
“Së pari ajo çfarë e tronditi politikën shqiptare është 20 shkurti, aksioni i grupit parlamentar të PD-së e arriti qëllimin për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar dhe të brendshëm. Ajo çfarë e ka detyruar Ramën të bëjë hapa përtej, pasi kemi parë që nuk lakohet, ka ardhur nga SHBA-të.
Të jemi të qartë, Ramën nuk po përfillim me takime zyrtare, por i dërgojnë zarfet diplomatike, dhe ia lënë sipër tavolinës. Këshilli i Ambasadorëve në SHBA i cili është institucioni më prestigjioz vendosi disa standarde që i referohet së pari administrata e SHBA-ve", është shprehur ish-deputeti.
I ftuar në studion e MCN TV, ai ka thënë se Edi Rama po përpiqet ta shfrytëzojë situatën aktuale politike dhe siç e quan ai "mjeshtër të intrigave", po punon për ta çuar vendim në zgjedhje të parakohshme.
“Rama po përpiqet ta shfrytëzojë këtë situatë. Është mjeshtri i intrigave, po punon që të shkojë në zgjedhje të parakohshme në tetor. Është në panik. Në nëntor SHBA kanë zgjedhje. Dhe me gjasa zgjidhet Trump. Ai s’do merret me Ramën, por Sorosi që e mbështet Ramën do të marrë goditje nga Trump dhe kjo është e padiskutueshme e kanë cilësuar një armik të demokracisë në SHBA", është shprehur Nard Ndoka.