Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka mbledhur kabinetin e tij qeveritar. Kjo mbledhje mbahet një ditë pas protestës që u organizua nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë tjera opozitare, protestë kjo që la të lënduar dhjetëra protestues dhe pjesëtarë të policisë së Kosovës. Gjatë protestës u arrestuan rreth 100 persona.
“ Protesta kishte kryekëput qëllime politike. Policia e Kosovës e ka mbështetjen e plotë qeveritare për të mbrojtur pronën publike nga partitë politike. Shkaktari kryesor i eskalimit të protestës së djeshme ishte ultimatumi i dhënë për heqjen e kordonit policor”, ka thënë Mustafa në mbledhjen e qeverisë.
Kryeministri Mustafa ka ritheksuar se në protestë u pa që organizatorët kishin vetëm qëllime politike. “Qytetarët u thirren për të protestuar për Trepçën dhe shkarkimin e një ministri i cili kërkoi falje dhe të cilin nuk e pranuam. Trepça nuk mbrohet me dhunë ndaj policisë, ajo është mbrojtur me ligj që pamundëson privatizimin e saj”, është shprehur Mustafa në mbledhjen e qeverisë.
Mustafa nuk e ka përmendur se a do të ketë shkarkim apo jo të ministrit për Komunitete dhe Kthim Aleksandar Jabllanoviç.
Ndërkohë lëvizja Vetëvendosje ka bërë përsëri thirrje për shkarkimin e ministrit Aleksandër Jabllanoviç. Sipas deputetit Rexhep Selimi kërkesat e protestuesve do të duhej të reflektonin tani.
“Dy kryeministrat Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, nuk kanë reflektuar as edhe për një çast, për asnjë moment për kërkesat e protestuesve, ata do të duhej të vepronin tani. Në çdo moment që do të reflektonin do të bëjnë mirë. Sidoqoftë ata duhet ta shkarkojnë minstrin Aleksandër Jabllanoviç”, ka thënë Selimi