Hapësire reklamuese

Politikë

Mungesa e punonjësve të kualifikuar, Rama: Bizneset të rrisin pagat

Shkruar nga Newsbomb
Mungesa e punonjësve të kualifikuar, Rama: Bizneset të rrisin

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një konferencë për mediat lidhur me Arsimin Profesional në vend. Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit tha se sipërmarrja duhet të bëjë një ndarje më të drejtë të fitimit me punonjësit e tyre, dhe theksoi se kjo nuk është çështje zemërgjerësie, por domosdoshmërie.

Rama deklaroi se vendi ynë deri më tani nuk ka mungesë të njerëzve, por ka mungesë të kualifikimit të njerëzve.

Kjo shkon në kundërshti me faktin se nuk kemi tani për tani mungesë të njerëzish, por kemi mungesë të kaulifikimit të njerëzve. Këtu nis nevoja për një sturkturë të re dhe është koha për të që ta ftojmë sipërmarrjen në një arsyestim të pashmangshëm, të nevojës për investim të përbashkët dhe për sipërmarrjen që të ketë një përfaqësim dijnitoz në vendet e punës,” tha Rama.

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama

Në të vërtetë arsimi profesional dhe nevoja për krahë të kualifikuar pune e ka bërë 2024-ën dhe patjetër ka shënjuar këtë dekadë si dekadën e një lufte, e cila ka nisur edhe intensiteti i të cilës po rritet progresivisht në të gjithë Europën. Është një luftë për të përballuar pasojat e rënies dramatike demografike të Europës, e cila na vë ne dhe vendet si ne, këtu në Europë, përballe një sfide të dyfishtë; nga njëra anë, rritjes së aftësive profesionale të të rinjve tanë për t’ju përgjigjur nevojave të një tregu pune gjithmonë e më kërkues për krah të kualifikuar dhe nga ana tjetër, përballimi i presionit gjithmonë e më të fortë të vendeve të pasura dhe të mëdha të Europës për ta thithur këtë krah të kualifikuar pune.

Sot, kushtet për të pasur një debat të hapur për arsimin profesional dhe për të krijuar një sens të përbashkët vlerësimi të domosdoshmërisë të mbështetjes së kualifikimit të mëtejshëm profesional të më të rinjve, janë shumë më të favorshme për faktin se sipërmarrja ka filluar ta ndjejë lagështirën dhe ka filluar ta shohë me sytë e vetë në të përditshmen e saj kundërshtinë gjithmonë e më të mprehtë midis ambicies, nevojës dhe mundësive të saj për t’u rritur e nga ana tjetër, mungesës gjithmonë e më alarmante të kapaciteteve njerëzore, të kapitalit njerëzor.

Fatmirësisht kjo ka filluar të reflektohet në mënyrë të ndjeshme në rritjen e pagave që është patjetër A-ja, pa të cilën i gjithë alfabeti është i mangët dhe në formësimin e një vetëdije që kapitali njerëzor i një ndërmarrjeje, i një sipërmarrjeje, i një biznesi nuk është i fundit, siç është trajtuar nga sipërmarrja për vite të tëra, por është i pari.

Një ndarje më e drejtë e fitimit me vetë punonjësit nuk është çështje zemërgjerësie, por është çështje domosdoshmërie dhe në këto kushte është mundësia për ndërtuar një dialog të strukturuar me sipërmarrjen, posaçërisht me biznesin e madh, për nevojën e kontributit të drejtpërdrejtë të kompanive në rritjen e kapaciteteve të shtetit, të vendit për të formuar të rinjtë me zanatet dhe aftësitë nevojshme për tregun në mënyrë që tregu të mos krijojë vende të lira pune, të cilat mbeten bosh, jo më për shkak të kapaciteteve paguese të sipërmarrjes, por për shkak të mungesës së aftësive për punë të caktuara.

Sot, ne jemi përpara një fakti shumë kokëfortë, posaçërisht në industrinë e turizmit, e cila është një industri e re në Shqipëri në kuptimin e krijimit të një ekosistemi, i cili po rrit me shpejtësi ambicien, dëshirën, mundësitë e investimeve për t’ju përgjigjur një kërkese marramendëse që vjen nga krijimi i Shqipërisë në sytë e botës si një destinacion turistik për t’u vizituar dhe të gjitha komplekset apo strukturat hoteliere të një niveli të caktuar kanë, jo vetëm paga të pakrahasueshme me 3 - 4 vite më parë, por kanë dhe gatishmërinë të paguajnë dhe më shumë për të plotësuar nevojat e tyre sipas të gjitha funksioneve dhe roleve që duhet të ketë të ketë një sipërmarrje e kësaj natyre dhe problemin e kanë tek kapitali njerëzor.

Kjo shkon ende në kundërshti për fat të mirë në këtë rast me faktin që ne nuk kemi hë për hë mungesë njerëzish, por kemi mungesë kualifikimi të njerëzve.

Ne nuk kemi mungesë të rinjsh që mund të përfshihen dhe të kenë një rrugë të sigurtë me një punë të mirëpaguar në këtë industri, por kemi mungesë te rinjsh që mund ta zënë një vend, duke i zotëruar aftësitë për të cilat ai vend ka nevojë dhe këtu nis nevoja për një strukturë të re të marrëdhënies mes industrisë, - mora turizmin si shembull, por mund të marr dhe pjesë të tjera - dhe aktorëve në sektorin publik që nga qeveria, në nivelin qendror tek bashkitë në nivelin vendor, shkollat profesionale, shtetërore ose private.

Është koha për ne që ta ftojmë sipërmarrjen në një arsyetim të pashmangshëm. Një arsyetim mbi nevojën e bashkërendimit të forcave, mbi nevojën e investimit të përbashkët, me kushte të qarta, me përfitim reciprok, për ne, që të punësojmë më paga dinjitoze sa më shumë forca pune dhe për sipërmarrjen që të ketë në dispozicion forca pune që i paguan në mënyrë dinjitoze, por që njëkohësisht merr mbrapsht performancën dinjitoze sipas vendit të punës.

Sot, prej vitesh në fakt ka një listë renditjeje të të ardhurave dhe të pagave mesatare në rajonin tonw dhe prej vitesh e përsëris, Mali i Zi është në vendin e parë me një diferencë të ndjeshme me vendet e tjera, e cila ka ardhur duke u ngushtuar, por përsëri nuk është barazuar. Nëse e pyesim veten si ka mundësi dhe pse, përgjigja është shumë e thjeshtë: Mali i Zi nuk prodhon municione, nuk prodhon raketa, nuk prodhon kompjutera. Mali i Zi ka qenë vendi pionier i transformimit të turizmit në gjithë këtë rajon dhe ka arritur të krijojë një industri të turizmit me një reputacion të mirënjohur në botë, falë të cilës ka mundur që të ngrejë komplet të ardhurat për frymë dhe pastaj edhe gjithë sistemin e pagave.

Patjetër që Shqipëria ka mundësi sot ta synojë, pa diskutim, jo vetëm vendin e parë me diferencë nga vende të tjera të rajonit në turizëm në fund të kësaj dekade, por ka detyrimin të synojë që përmes kësaj industrie, të sjellë një rritje të vazhdueshme, progresive të të ardhurave dhe të pagave. Ama, që t’ia dalim na duhet, jo thjeshtë të kemi projekte më të bukura se të tjerët, gjë që hap pas hapi e bëjmë, jo thjeshtë të kemi më shumë investime çdo vit, gjë që hap pas hapi po ndodh dhe do të shkojë duke u bërë edhe më e theksuar, por edhe duke përgatitur rrugën për të kthyer këtë industri në një bazë të ardhurash të denja për punonjës të kualifikuar si duhet sepse nëse kjo nuk do të ndodhte, atëherë të gjitha të tjerat do të shumëzoheshin me diçka afër zeros për shkak se në fund të ditës është cilësia e shërbimit ajo që i bën vizitorët të rikthehen.

Këtu, interesat e qeverisë dhe të sektorit publik dhe interesat e sektorit privat janë tërësisht të përputhur ama nga ana tjetër, sektori privat duhet të marrë përsipër disa përgjegjësi, duke filluar nga një kontribut i drejtpërdrejtë financiar për sistemin e arsimit profesional dhe nga një përfshirje serioze në këtë ndërveprim pa të cilin ne nuk ia dalim dot si vend, nuk flas thjeshtë dhe vetëm si qeveri.

Para pak ditësh, Shqipëria u vlerësua nga “Standard & Poors” me një nivel të ri për herë të parë vlerësimi dhe kaloi nga një B+ stabël prej disa vitesh në 2B -. Sigurisht që hapi tjetër është 2B+, por ajo që dua të theksoj është se vitin e shkuar, sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, dalë ditët e fundit, ne kemi arritur shifrën rekord të 1.5 miliardë eurove, pak a shumë, investime të huaja direkte, që është një kapërcim i madh në raport me një trend stabël të viteve të shkuara që vërtitej rreth 1 miliardëve, por që është vetëm fillimi një trendi tjetër, për të shkuar në 2, 2.5, 3, 4 miliardë.

Është plotësisht e mundur, por me një kusht, që ne të kemi kapacitete njerëzore, të kemi kapital të mjaftueshëm njerëzor për ta përballuar rritjen e interesit të investitorëve dhe për ta përballuar këtë rritje të përgjithshme të vendit që në 5 vjeçarin përpara, deri në 2030, do të jetë e jashtëzakonshme, por njëkohësisht do të sjellë me vete një presion të jashtëzakonshëm mbi kapacitetet tona.

Ka edhe një thelë mbi bisht këtu, që vitet përpara deri në 2030, kemi në kurriz të gjitha detyrimet e reja që burojnë nga faza e re e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe shumëkush shumë gabimisht mendon që anëtarësimi në Bashkimin Europian është një proces që i takon qeverisë. Në fakt, jo!

Anëtarësimi në Bashkimin Europian, deri në momentin e çeljes së negociatave, është përgjithësisht një proces që i takon qeverisë. Në momentin kur hapen negociatat, të ashtuquajtura sepse nuk negociohet në fakt, Bashkimi Europian nuk negocion! Bashkimi Europian vë përpara një listë të tërë kërkesash dhe thotë: “Mangi questa minestra”, siç thuhet në gjuhën e ambasadorit të Bashkimit Europian që kemi fatin e madh ta kemi nga një vend që na kupton më mirë se të tjerët sepse edhe sot e gjithë ditën ka nevojë të përmirësojë veten në raport me Bashkimin Europian.

Në këtë proces, Bashkimi Europian shikon qeverisjen, shikon sistemin e drejtësisë, shikon agjencitë e tjera të pavarura, por shikon edhe sektorin privat dhe në rast se abstragojmë dhe themi: të gjitha strukturat e sektorit publik, që nga qeveria, tek drejtësia e tek agjencitë e ndryshme të pavarura i plotësojnë kushtet,  nuk mjafton nëse biznesi nuk i plotëson kushtet. Nëse performanca e sipërmarrjes, nëse prodhimet e vendit apo aktivitetet ekonomike të vendit nuk plotësojnë standardet e Bashkimit Europian. Një nga vendet, nuk po e përmend emrin, në rrugën e anëtarësimit u ndesh me një nga problemet më të mprehta që ishte therja e pa sistemuar e gjësë së gjallë për konsum dhe të tilla janë plot.

Kështu që, jemi në një fazë kur duhet të gjithë të bëjmë një kilometër ekstra në mënyrën e të menduarit për t’u afruar në një pikë. Institucionet të varura apo të pavarura, i gjithë sektori publik dhe sektori privat, duke nisur që nga arsimi ku në dukje, nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me negociatat, por ku në fakt formësohet brumi që pastaj na i bën të mundura këto sfida shumë të vështira. Nëse flasim për arsimin profesional, sot ne jemi ende shumë larg. Shumë larg pikës ku duhet të mbërrijmë dhe nuk duhet të mbërrijmë pas 10 vjetësh, por duhet të mbërrijmë shumë shpejt.

Na duhet të thellojmë reformën nga ana jonë, na duhet që atë çka kemi nisur këtë vit me një ndarje qysh në vitin e parë të gjimnazit të një pjese të nxënësve për t’i çuar drejt arsimit profesional ta kthejmë në një sistem orientues dhe fitues ku sa më shumë nxënës që shkojnë për inerci në gjimnaz dhe që nuk kanë asnjë “sy për qabe” që të shkojnë në universitet e kështu humbin 4 vite, bashkë me të gjitha shpenzimet e prindërve për të dalë në fund të papunë pa asnjë dije, t’i orientojmë drejt strukturave të arsimit profesional por për ta bërë këtë në mënyrë domethënëse na duhet që strukturat e arsimit profesional t’i çojmë në një nivel tjetër, nga pikëpamja cilësore dhe nga pikëpamja sasiore. Fatmirësisht i kemi shembujt.

Kemi një shkollë në Shqipëri, ndër të tjera, që quhet Hermann Gmeiner, e cila e ka treguar me forcën e shembullit pse nuk duhet ndonjë shkencë e madhe për ta adresuar me cilësinë më të lartë këtë nevojë dhe për t’ju dhënë nxënësve një perspektivë fantastike.

Problemi me shkollën “Hermann Gmeiner” është që aty janë aktualisht më pak se 50 % e atyre që aplikojnë, që mund të hyjnë në shkollë për shkak të kapacitetit dhe në shkollën "Hermann Gmeiner"   lufta bëhet me presje dhjetore, midis 10, 9.9, 9.8, duke tërhequr kështu një kapital të çmuar të asaj moshe që nga ana tjetër kur mbaron, niset për të bërë universitetin jashtë dhe më pas numri i kthimeve është modest. Atëherë natyrisht që ne nuk mund të pengojmë nxënësit që të synojnë që të shkojnë në universitete që i përgjigjen kapacitetit dhe ambicies së tyre jashtë shtetit, por duhet të arrijmë që të japim këtu më shumë alternative. Pa harruar t’u themi prindërve, pa harruar t’u themi fëmijëve që sot statistikisht në Shqipëri, 70 % e kërkesave për punë janë për profesionistë apo zanatçinj, teknik të mesëm dhe të lartë. Ndërkohë që vetëm 30 % e kërkesave që ka tregu janë për arsimin e lartë universitar, jurist e këto sepse për shumë vite, falë çfarë u bë në vitet e mëparshme, do të jemi vendi me numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në botë. Ndërkohë që numrat për kilometër katror të profesionistëve, teknikëve të mesëm, teknikëve të lartë, zanatçinjve i kemi shumë modest.

Në mbyllje, për të mos u zgjatur më tutje, duke marrë parasysh që pavarësisht dobësive që mund të ketë ende arsimi profesional, pavarësisht faktit që ende mbulimi me infrastrukturë dhe kualitet nuk garantohet në të gjithë territorin, 57 % e atyre që mbarojnë në këto shkolla të arsimit profesional, hyjnë në punë brenda 6 muajsh dhe kanë paga të mira. Nuk hyjnë në punë me pagën minimale, e cila sot është 400 euro, nuk është 120 mijë lek të vjetra siç ishte dikur, por hyjnë në punë me paga të mira.

Besoj që me financimet e reja që kemi vënë në dispozicion për arsimin profesional, si dhe me një tjetër financim në qershor do të mbulojmë të gjithë nevojën për rindërtim dhe rikualifikim të shkollave dhe konvikteve të arsimit profesional në territor me kushte optimale, në mënyrë që kur prindërit tua besojnë, shkollës së arsimi profesional në veri, jug, në Shqipërinë e mesme, në lindje, perëndim fëmijën, fëmija të rrijë me shokët, shoqet, në një strukturë që i plotëson të gjitha nevojat nga A te ZH, jo vetëm për mësim, por edhe për ushqim, edhe për fjetje, edhe për aktivitete të tjera rekreative dhe kthimi i arsimit profesional në një trend të ri tërheqës është patjetër domosdoshmëri dhe është objektivi ynë, i cili do të bëhet i mundur vetëm nëse sipërmarrja do ta kuptojë dhe do të reagojë pozitivisht në nivelin e bizneseve të mëdha, për nevojën që të financojë, të marri pjesë në financim dhe në ndërkohë të plotësojë detyrime që do t’i vendosim sipas niveleve të të ardhura, të xhirove etj, për trajnime profesionale, për veten e vetë ose për të tjetër, sepse në një sistem të hapur ekonomik si i yni, krijimi i një zinxhiri të shëndetshëm në të gjithë infrastrukturën e sistemit sjell përfitime për të gjithë.

Garancia rinore me Bashkimin Europian është një projekt shumë pozitiv, por deri kur ajo të materializohet, deri kur ato fondet të vihen në dispozicion, e deri kur t’i shikojmë hairin atij investimi, ne rrezikojmë të humbasin shumë kohë. Prandaj paralelisht duke punuar për garancinë rinore dhe duke përballuar me heroizmin që na karakterizon në aspektin e durimit burokracinë e Bashkimit Europian, ne duhet dhe do të rrisim investimet publike në arsimin profesional, mbështetjen nga buxheti i shtetit për arsimin profesional dhe patjetër do t’ju kërkojmë kompanive, do t’ju kërkojmë me hir dhe unë shpresoj që nuk do të jetë nevoja që pahiri i ligjit ta bëjë këtë punë pa u kuptuar mirë me njëri-tjetrin që të përfshihen në financimin e arsimit profesional.

Dua të falënderoj ambasadoren zvicerane në mënyrë të posaçme, kur bëjmë takime në Shqipërinë ne akoma s’po shpëtojmë nga ambasadorë falënderimi dhe kryesisht falënderojmë ambasadorët e realiteteve të mëdha strategjike, por ambasadoren e Zvicrës dua ta falënderoj në mënyrë të posaçme për faktin se programi i mbështetjes së Zvicrës në mënyrë të vazhdueshme qysh në kohëra të padyshuara siç i thonë fjalës, ka pasur të pandërprerë komponentin e mbështetjes për arsimin profesional dhe me siguri, zviceranët dinë diçka që insistojnë në mënyrë këmbëngulëse tek arsimi profesional dhe patjetër nëse Zvicra është ajo që është sot, nuk duhet shumë për të gërmuar, për të parë që Zvicrën nuk e bën Zvicër bankat, nuk e bën Zvicër më të pasurit, nuk e bën Zvicër të gjitha ato për të cilat ne mahnitemi kur shohim Zvicrën, por Zvicrën e bën dhe e mban Zvicër, forcat e kualifikuara të punës në arsimin profesional. Kapacitet e jashtëzakonshme që ka Zvicra për ta kthyer çdo burim njerëzor të sapo dalë nga shkolla fillore, në një burim në funksion të ekonomisë.

Faleminderit patjetër dhe gjithë të tjerëve, s’po i marr me radhë se janë shumë. Bashkimin Europian, kuptohet që e falenderova në mënyrën time, se Bashkimi Europian kontributin kryesor përveç të gjitha të tjerave e ka që na e kalit durimin në një formë për të cilën do t’i jemi mirënjohës gjithë jetën, se pa atë durim, nuk shkojmë larg. Sigurisht që për të shkuar larg, do të vuajmë deri atëherë, por ndërkohë kalitemi, bëhemi të fortë. Bashkimi Europian na ka zëvendësuar Partinë që kishim dikur.

 

 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese