Edvin Prifti ka nxjerrë një pjesë të akteve që posedon Prokuroria e Posaçme, ku ai është nën hetim nga organi më i lartë i akuzës në vend. Kardiokirurgu i njohur tregon se si është përpjekur të ndihmojë pacientë të ndryshëm, duke i udhëzuar të hiqnin dorë nga privati.
Në një postim të bërë në rrjetet sociale, Prifti i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të bëjë publike çdo video apo regjistrim, ku ai dyshohet se ka konsumuar një vepër penale.
Gjithashtu thekson se është i gatshëm të mbajë përsipër fajin e mashtrimit, nëse për gjithçka që shkruan rezultojnë të jenë të pavërteta.
“Pas më shumë se 3 vitesh, më në fund SPAK na jep një pjesë të përgjimeve ku në mënyrë të përsëritur unë them veçse gjëra të ligjshme dhe etike. Ky jam unë! Sigurisht këto nuk merren parasysh?! Më poshtë është njëra prej tyre e marrë nga dosja përkatëse. Gjykojeni vetë ju.
Edhe njëherë unë i bëj thirrje të hapur SPAK që të bëjë publike çdo video apo regjistrim me zërin e fytyrën që të kem bërë qoftë edhe elementin më të vogël të paligjshëm.
Dhe nëse unë nuk them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, në dorë e kanë të shtojnë edhe një akuzë tjetër për mashtrim apo falsifikim! Unë do të bëj publike gjithçka që ju të kuptoni të ardhmen tuaj të mundshme!
PS: Shënimet dhe vizimet janë kryer nga vetë SPAK! Melodrama kthehet në komedi dhe më pas në tragjedi e në fund në një butafori groteske!”, shkruan Edvin Prifti.