Një debat “i fortë” mbi kriterin nëse një individ duhet të penalizohet për aktivitetin e familjarëve, po zhvillohet në rrjetin social Facebook.
Është ish-zv.komandati i Forcave të Detare Artur Meçollari, që ka denoncuar faktin se Migena Tresa, motra e një trafikanti droge vrarë në Ekuador, Adriatik Tresës, është nisur me mision paqeruajtës në Sudan, madje kjo u bë e ditur nga një video-call e Presidentit të Republikës më 1 janar për të uruar një vit të mbarë për forcat e armatosura që shërbejnë jashtë vendit.
Meçollari, ngre pikëpyetje mbi të kaluarën e familjarit të Migena Tresës dhe si është e mundur që ndërsa vëllai i është ekzekutuar në Ekuador si “baron droge”, mund të marrë certifikatën e sigurisë për të përfaqësuar vendin në misione të tilla.
Migena Tresa ne konferencen e dates 1 Janar 2024
Por në këtë debat ndërhyn gazetari Artan Hoxha, i cili është i njohur me këtë histori, dhe të kaluarën e Adriatikut të vrarë, dhe motrës së tij, një njeri plot halle që s’ka lidhje me të kaluarën e vëllait.
Shkruan Artan Hoxha:
"Komandant, Migena është një vajzë e grua e rrallë. Jeton me dy prindër të moshuar dhe të sëmurë në Baldushk. Ka punuar gjithë jetën në FA, ka sakrifikuar, është trajnuar dhe nuk ka asnjë lidhje me aktivitetin e të vëllait. Eshtë hetuar shumë herë prej vëllait, është mbajtur nën vëzhgim, në përgjim, nga policia dhe prokuroria. Ka rezultuar me zero lidhje.
Trupin e vëllait shkoi ta merrte në Ekuador sepse nuk kishte askënd tjetër nga familja që ta merrte. Për të sjellë kufomën në Shqipëri ka kaluar një kalvar të vërtetë, duke e kaluar kufomën në Guayquil Ecuador, Florida SHBA, Stamboll Turqi derisa e solli në Tiranë duke marrë kredi për shpenzimet e mëdha për sjelljen e kufomës.
Shokët trafikantë të vëllait në atë kohë ishin zhdukur dhe kjo e përballoi e vetme për të përmbushur një amanet të prindërve. Cka bërë vëllai është histori krejt tjeytër dhe cdo biznes e para e tij nga narkotrafiku i është marrë nga karteli Los Choneros që e ekzekutoi në Guayquil”, shkruan Artan Hoxha.
Adriatik Tresa, shqiptari i ekzekutuar ne Ekuador
Por edhe Artur Meçollari argumenton më tej se nuk po merret me vuajtjet dhe sakrificat e të motrës për të sjellë trupin e vëllait trafikant në Shqipëri, por për parimet që ndiqen në Ministrinë e Mbrojtjes.
“Fakti që në vend të një zbuluesi, dërgohet në mision një financiere, nuk justifikohet. Edhe atyre që i është mohuar kjo mundësi kanë sakrifikuar dhe kanë punuar me përkushtim. Çështjet institucionale nuk mund të kanalizohen në çështje personale” shkruan Meçollari duke vënë në dyshim procedurën përzgjedhëse për këtë mision. "Janë shumë ushtarakë zbulimi që prej vitesh konkurrojnë. Dhe nuk kanë vëlla a motër të vrarë në Ekuador për trafik ndërkombëtar. Personeli i FA e di shumë mirë këtë ngjarje dhe shumë të tjera”, shkruan Meçollari.
Gjithë ky debat bëhet për idenë nëse një person që ka një familjar të dënuar apo jashtë kritereve mund të marrë certifikatë sigurie për të përfaqësuar shtetin. Pas mbarimit të këtyre misioneve ushtaraku merr gradën major dhe kryen çdo lloj detyre. Organet e DSIK verifikojnë pastërtinë e figurës së tij. Por, për të marrë këtë certifikatë pastërtie plotësohet një formular me më shumë se 20 faqe, ku familjarët, emrat e tyre janë që në fillim të tij.
Migena Tresa, majore e FA dhe motra e te ndjerit Adriatik Tresa
Majore e Forcave të Armatosura Migena Tresa është motra e Adriatik Tresa, trafikantit ndërkombëtar të drogës vrarë në Ekuador në nëntor 2020. Tresa, që sipas dokumenteve dhe hetimeve pas vrasjes, kishte dalë nga Shqipëria në 2011 dhe nuk kishte hyr më në vend, dyshohej si vrasës me pagesë dhe pjesë e një grupi kriminal shqiptar që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të BE.
Në Ekuador ai kishte krijuar familje të re, ishte martuar dhe qëndronte edhe me tre kunetër dhe dy roje sigurie. Jetonte në Guayakil në një kompleks rezidencial banimi në një vilë luksoze dykatëshe, të survejuar me kamera, por në Shqipëri, kishte lënë prindërit e sëmurë, e madje, pa u sjellë të ardhura për kurimin e tyre.