Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

Mos rri kot, protesto kot!

Shkruar nga Newsbomb
Mos rri kot, protesto kot!

Edi Oga, ekskluzivisht për newsbomb.al

E drejta për të protestuar është një e drejtë e patjetërsueshme për të gjithë, por shumë pak besojnë tek efikasiteti i protestave në Shqipëri dhe akoma më pak e ushtrojnë këtë të drejtë.

Që kur u njoftua rritja e çmimit të bukës, njerëzit filluan të protestojnë. Jo në sheshe, por në dyqane, në autobusë, në kafene dhe në rrjet. Protesta individuale që kalonin deri në eufori grupesh të vogla.

Në ditët që pasuan, kur u kuptua që të gjitha çmimet janë rritur dhe do rriten edhe më, u njoftuan protesta në shesh. Atje, përballë Kryeministrisë.

Pak njerëz dolën në shesh. Edhe 2 apo 3 mijë po të kenë qenë, janë shumë pak. Kjo rritje çmimesh cënon mbi 95% te shqiptarëve dhe godet seriozisht 25% prej tyre.

Përse nuk u dyndën qytetarët në shesh?

A u mungon motivi?!

Jo. Motivi është më se i qenësishëm. Në vetevete çdokush u shqetësua dhe protestoi individualisht.

Po përse atëherë njoftimit se në ditë të caktuar, në një orë të caktuar dikush do të dilte për të protestuar për vete dhe ti mund t’i bashkoheshe për të protestuar për veten tënde, nuk ju përgjigjën shumë qytetarë? Dikush mund të thotë se shiu pengoi. Nëse njerëzit do të ishin realisht të acaruar nga motivi, shiu do t’ua shtonte zemërimin dhe mbase protesta do të kishte arritur diçka më tepër. Ose shumë më tepër.

Përse nuk dolën qytetarët?

Përse kjo protestë rezultoi në një “flash mob” me finale gati qesharake?

Sipas mendimit tim, protesta me një “format” të tillë mund të funksionojnë vetëm në një shtet me demokraci të konsoliduar dhe funksionale, për më tepër, në një shoqëri kulturalisht më të avancuar se kjo e jona. Në Finlandë, ose në Singapor, le të themi. Atje mund të ishte njoftuar një grumbullim qytetarësh që janë kundër trëndafilave të kuq dhe pro atyre të bardhë në lulishtet e qytetit dhe nuk do të ishin larguar nga aty pa gjetur një zgjidhje që kënaq shumicën. Kjo mënyrë të protestuari nuk funksionon kur bëhet fjalë për bukën e gojës.

Kur “në tavë” është diskutimi për bukën, për ujin, për karburantin, për energjinë, ti nuk mund të bsh një njoftim për protestë, por duhet ta organizosh dhe ta udhëheqësh atë. Ta organizosh do të thotë që të sjellësh në shesh të gjithë ata që duan të dalin dhe ta udhëheqësh do të thotë të marrësh përgjegjësinë për të gjithë atë që mund të ndodhë në një protestë dhe mbi të gjitha, të kesh një plan konkret se çfarë do të ndodhë pas kësaj proteste në mënyrë që herët a vonë të arrihet qëllimi i saj!

Individët që ofrohen për të organizuar protesta, duhen përgëzuar, mbase edhe duhen mbështetur, por që një protestë të marrë kuptim dhe të ketë sinergjinë e të gjithëve atyre që dalin, ato duhen organizuar dhe udhëhequr nga organizata politike. Në rastin konkret nga partitë opozitare. A nuk është ky “përshkrimi i tyre i punës”? Nëse një parti opozitare nuk udhëheq popullin në raste padrejtësish kaq të mëdha, për çfarë dreqin ekziston?

Ah po. Duhet të presim pak se Partia Demokratike ashtu i ka disa halle të brendshme. Po “kacafyten bab e bir”. Sa t’i japin një drejtim punëve të veta, pastaj do të dalin në rrugë me qytetarët. Sepse u bë gjatë që jetojnë si “mëtonjës”. Ndërkohë pushteti vepron i pashqetësuar në misionin e tij për të marrë shumë për vete, duke bërë sikur u jep të gjithë nga pak e sikur ua shton.

Derisa partitë opozitare të bëhen gati, me siguri do të jetë bërë m*ti mullar, prandaj ndoshta është më mirë të dalim e të protestojmë kot, sesa të rrimë kot!

Sondazh

Poll