
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka folur lidhur me ngjarjet e fundit politike si dhe me aksionin opozitar i cili po vijon prej muajsh.
I ftuar në emisionin “Open” Noka u shpreh se deputetët e opozitës nuk do të lejojnë që kryeministri Edi Rama t’i kthejë në kartona.
Ai iu drejtua kreut të qeverisë duke e paralajmëruar që të mos provokojë dhe nëse mazhoranca nuk reflekton ashtu si dhe deputetët e opozitës kërkojnë, shumë shpejt do ta shohë Parlamentin në flakë.
“Edhe macen po ta çosh te cepi i murit, të hidhet në fyt. Këtë na kanë bërë ne, na kanë marrë çdo të drejtë demokratike, na kanë asgjësuar çdo të drejtë, çdo liri dhe kërkon të na kthejë në karton Edi Rama. Kurrë! Ndaj po i them, mos provoko se do ta shohësh në flakë atë parlament shumë shpejt dhe jo vetëm atë parlament. Po nuk reaguan dhe po nuk reflektuan këtë që po e them do ta shohësh jo vetëm në parlament”, tha ndër të tjera Flamur Noka.