Ditën e sotme, në disa media ka qarkulluar një lajm ku pretendohet se kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është “mbyllur dera” për të marrë pjesë në Kongresin e Partive Socialiste Europiane.
Në media ka qarkulluar një e-mail që pretendohet se është dërguar nga PES në adresë të Metës, ku i thuhet se vendimi ishte i vështirë për t’u marrë, por Partia e Lirisë nuk duhet të shkojë në Kongresin që do të mbahet në datat 14-15 tetor.
“I dashur Ilir,Faleminderit për interesin tuaj në Kongresin e PES, që do të mbahet në Berlin në 14-15 tetor. Gjithsesi, si rezultat i vendimit dhe aleancës suaj të fundit politike, ne ju kërkojmë që të mos merrni pjesë në Kongres. Kongresi i PES pret prezantime nga parti progresiste për të shpërndarë vizionin e tyre për politikat Europiane që janë të bazuara në vlerat tona thelbësore, demokracia, liria, barazia, paqja dhe drejtësia. Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin. Ju luten kini parasysh që nuk ishte një vendim i lehtë”, thuhet në mesazh.
Të pyetur nga Newsbomb.al, zyrtarë të Partisë së Lirisë janë shprehur se ky lajm është i pavërtetë, dhe së shpejti do të ketë një reagim zyrtar nga PL, lidhur me këtë çështje.
REAGIM PER MEDIAT I PARTISË SË LIRISË:
ËSHTË GËNJESHTËR! ËSHTË “FAKE NEWS”!
Një rast flagrant, për të ardhur keq, se si në mungesë të theksuar profesionalizmi, një media e kapur dhe në shërbim 24/24 të propagandës së fëlliqur të Qeverisë, dezinformon hapur duke gënjyer ditën për diell lexuesit, me një mashtrim kaq të trashë. Ilir Meta as ka kërkuar të shkojë i ftuar diku në Berlin dhe as ka kërkuar ndonjë ftesë se ka punë shumë të rëndësishme në Shqipëri! Email që pretendohet nuk është çuar në adresën e Partisë së Lirisë, por në adresën [email protected], në email të Ralf Gjonit dhe adresën fake të Monika Kryemadhit, që nuk ekziston: [email protected]
Asnjë surprizë nga një portal i ulur në gjunjë para Edi Ramës, i financuar nga paratë që qelben erë incenerator, mafie vendase dhe italiane! Dhe nëse ky “Fake News” nuk është produkt i tyre le të tregojnë emrin e “gjermanit” që ja u ka servirur, i cili me siguri duhet të jetë ndonjë nga ata qejflinjtë e eurove që financohen me fondet e kartelit Sinaloa! Edhe shtyllës së turpit do t’i vinte ndot të publikonte një gënjeshtër kaq të pështirë! Ndaj këtë “Fake News” merreni, bëjeni shuk dhe futjani Edvinit dhe Taos atje ku u shijon më shumë! Dhe mos harroni: Refuzoni të ndotni sytë duke lexuar të tilla portale të mbushura me gënjeshtra!