Seanca plenare e kësaj të mërkure në Kuvend, ka nisur me debate të forta mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të PD që janë të pranishëm. Pas akuzave të Enkelejd Alibeaj për dhënien me koncesion të Portit të Durrësit, Rama ka dalë në foltore dhe ka sulmuar deputetët.
"Shteti shqiptar merr pjesë me aksione, por ju jeni ca të mbaruar, ca të pafytyrë që nuk keni as fe, as atdhe, as din e imam. Mirë ne, po merrni nëpër gojë një nga kompanitë më të mëdha të botës", tha Rama, duke provokuar reagimin e Gazment Bardhit, Dash Sulës dhe të tjerëve.
"Turp, turp", i janë drejtuar ata Ramës. Kryeministri i është drejtuar deputetit të Elbasanit, Dashnor Sula duke i thënë " Edhe mos bërtit ti gjel deti i Peqinit". Duke qenë se deputetët demokratë ishin pa mikrofon, nuk janë dëgjuar deklaratat e tyre.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës:
Projekt që e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe. Ne nuk kemi kohë për të humbur se kemi më shumë se 1 vit që e negociojmë këtë kontratë. Shteti shqiptar merr pjesë me aksione, por ju jeni ca të mbaruar, ca të pafytyrë që nuk keni as fe, as atdhe, as din e imam. Mirë ne, po merrni nëpër gojë një nga kompanitë më të mëdha të botës.
Ju jeni ca të pafytyrë. Këta jeni ju. Edhe mos bërtit ti gjel deti i Peqinit. Po të kishit fe e atdhe nuk i bënit Shqipërisë ato që i keni bërë. Ju jeni paguar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj. Ju nuk keni gojë të dilni këtu e të flisni, jo çdo bëhet me vendin tonë, jo kush do investojë në vendin tonë.
2 miliardë investim që i bën ai që vjen, juve thoni kujt do ja jepni. Por ju nuk keni faj, se jeni mësuar të merrni para kesh dhe të zbardhni dhëmbet që janë e qeshura e madhe e marrëzisë. Ju jeni ca bedelë që nuke dini pse jeni këtu dhe për çfarë jeni. Ju tërheqin për hunde disa të tjerë.
Pjesë nga debati:
Edi Rama: Ju jeni ca të mbaruar që nuk keni as fe, as atdhe, as din e as iman sepse çoheni këtu që në pikë të sabahut dhe merrni nëpër gojë e akuzoni për Pazar e akuzoni për aferë një personalitet dhe një kompani nga më të mëdhatë e botës.
Dashnor Sula: Pse qenke me nerva sot, apo se të kanë rikthyer shokun në burg?
Edi Rama: Ja këta jeni ju.
Dashnor Sula: Si s’të vjen turp që përdor këtë fjalor?
Edi Rama: Mos bërtit ti gjel deti i Peqinit sepse ju po të kishit ju fytyrë,
Dashnor Sula: Turp të të vijë, turp që përdor këtë fjalor në Parlament.
Edi Rama: Po të kishit ju din e iman dhe po të kishit fe e atdhe dhe nuk i bënit Shqipërisë ato që i keni bërë.
Dashnor Sula: Çfarë i kemi bërë ne Shqipërisë mo? Ti i ke bërë Shqipërisë atë që nuk ia ka bërë njeri, e ke vjedhur dhe e ke plaçkitur.
Edi Rama: Ju jeni paguar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj. Ju jeni ca bedelë që nuk keni as sy për të parë dhe as veshë për të dëgjuar.
Dashnor Sula: Si nuk të vjen turp për këtë fjalor, je në Parlament këtu.
Edi Rama: Ju mirë që nuk keni ditur gjë se ç’keni bërë, por sot e gjithë ditën nuk dini për çfarë flisni.