
GJKKO ka dënuar me 8 muaj burg, Gëzim Paplekajn nën akuzën e korrupsionit pasiv në zgjedhjet qendrore të 2021. Ky shtetas në një video të publikuar u shfaq duke marrë 20 mijë lekë të reja për 4 vota për Partinë Socialiste.
Video e Paplekajt me zë dhe figurë se kishte marrë 200 mijë lekë për 4 vota, të tijën dhe të familjarëve, në Lezhë, asoj kohe u bë virale duke nisur hetimet e këtij shtetasi në gjendje të lirë. Pas publikimit të videos Gëzim Paplekaj u shoqërua në Komisariatin e Lezhës për të sqaruar të vërtetën në lidhje me atë video, ndërsa për rastin SPAK nisi hetimet.
Pas publikimit të kësaj video katër anëtarët e fisit Paplekaj, Mirash, Gëzim, Donald dhe Jetmir Paplekaj, ranë në prangat e Policisë së Lezhës pasi kërcënuan dhe kanosën 38-vjeçarin, Ylli Kacolin, personi i cili e kishte filmuar.
Të katër këta shtetas kanosën Ylli Kacolin me qëllim që ky i fundit të bënte kallëzim të rremë në SPAK, ndërsa i dëmtuan dhe makinën.