Hapësire reklamuese

Aktualitet

Mjeshtri i madh i teneqeve!

Shkruar nga Newsbomb
Mjeshtri i madh i teneqeve!

Nga Edi Oga, ekskluzivisht për Newsbomb.al

Brenda pak ditësh, e kemi parë kryeministrin të zbukurojë gushat e dy sportistëve fitues me medalje mirënjohjeje publike. Më parë, ai e ka bërë shumë rrallë këtë gjest, i lënë në 'errësirë' nga shkëlqimi i medaljeve dhe titujve të cilat ish-presidenti i shpërndante si të ishin karamele. Tani që presidentin e ka 'të vetin', e bën vetë dhe madje me zell këtë punë. Me siguri edhe në ditët në vazhdim do të kemi ceremoni të tilla ku burri më i gjatë dhe më i njohur në vend , do t'u vendosë teneqe njerëzve që ulin kokën para tij me apo pa dëshirë, për t'i shtuar një 'teneqe' gushës së tyre prej fituesi. Në fakt ata nuk kanë nevojë për atë 'teneqe', por ka ai nevojë të dalë në foto e video duke ua vendosur, sepse i duhet për 'piar'! Nëse shfaqesh pranë një fituesi, automatikisht përfiton nga shkëlqimi i tij. Në mënyrë subkoshiente, shikuesit të asociojnë me fituesin. Dhe kryeministri ynë më tepër se kurdo ka nevojë që të duket si fitues. Fitues i tre betejave që kanë shenjuar nëntë vitet e tij të mbretërimit. Betejën me tërmetin, me pandeminë dhe tani betejën me krizën ekonomike globale. Për fatin e tij të keq, kjo e fundit sapo ka filluar dhe është ajo që ndoshta do ta zbresë nga kali. Sado fitues të jesh apo të dukesh, furia e njerzve të pabukë e të padrita, të merr përpara. Ai me siguri e parandjen këtë, por po zgjedh rrugën më të shkurtër për të shpëtuar; atë që deri tani i ka mbaruar punë, atë të fasadës. Mbase i funksionon edhe për pak kohë, sepse shumica e njerëzve janë të hallakatur nga vera dhe të mikluar nga çmimet e ulëta të produkteve të stinës, por kur të afrohet dimri, nëse gjërat shkojnë siç vetë ai i paralajmëron, njerëzit do të ndjehen ndryshe. Nuk e di nëse në ato muaj të ftohtë do të kemi drita të shohim ceremoni vendosje teneqesh në gushat e fituesve. Nuk e di nëse njerëzit do të vazhdojnë të mendojnë se 'këta nuk janë më të mirët, por më të mirë se këta nuk ka'! Këta që thanë kaskadën e Drinit duke shitur lirë dhe duke blerë me 10-fish. Këta që vunë bast me shiun dhe që e humbën atë. Çmimet do të rriten akoma dhe nuk e di nëse ceremonitë me teneqe do të mjaftojnë për të qetësuar shpirtra dhe për të ushqyer e ngrohur trupa!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll