Mjeku i del bë mbrojtje kolegut që u pushua nga puna dhe krijon peticionin online, bën thirrje për protesta dhe grevë urie për Ilir Allkjan
Mjeku Erion Dasho ka reaguar pas shkarkimit nga puna të kolegut të tij Ilir Allkja për shkelje të etikës në punë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dasho ka bërë thirrje për protesta dhe grevë urine në mbështetje të Ilir Allkjas.
Gjithashtu ai ka shpërndarë edhe një peticion për të kundërshtuar shkarkimin nga puna të mjekut të Urgjencës Kombëtare pranë QSUT-së. Kliko KËTU për peticionin.
Postimi i plotë:
Me pushimin nga puna të Dr. Ilir Allkja në 30 dhjetor, drejtori klarinetist i QSUT-së synon të bëjë një goditje të dyfishtë. Ai heq qafe një zë kundër menaxhimit skandaloz të epidemisë nga ana e QSUT-së por njëkohësisht e bën këtë në momentin kur reagimi i opinionit publik dhe atij mjeksor pritet të jetë më i dobët për shkak të festave të fundvitit.
Kjo goditje djallëzore duhet të marrë përgjigjen e mjekëve jo vetëm në QSUT, por në të gjithë vendin. Nuk ka rëndësi në se jeni dakord apo jo me problemet që ngre Dr. Iliri. Mjekët, ndër të paktët intelektualë që i kanë ngelur këtij vendi, duhet të udhëhiqen nga thënia madhështore “Mund të mos jem dakord me mendimin tënd, por do të luftoj deri në vdekje që ti ta thuash atë”!
Një protestë para zyrës së klarinetistit, një protestë para ministrisë së shëndetësisë, një grevë qoftë edhe njëorëshe, një peticion në median sociale, etj. do të ishin reagime të pritshme nga komuniteti i kolegëve!
Një koleg mori letrën e pushimit si dhuratë për Vitin e Ri!
Familja e një kolegu nuk do të festojë nesër normalisht si gjithë familjet tona!
Le të solidarizohemi me të si një detyrim minimal për bluzën e bardhë që mbajmë veshur!