Tirana
clear sky
29.5 ° C
29.5 °
29.5 °
48 %
3.6kmh
0 %
Sht
27 °
Die
31 °
Hën
34 °
Mar
35 °
Mër
36 °
E shtunë, 19 Qershor, 2021
spot_imgspot_img

Mjafton një qytet për të jetuar ëndrrën tënde…

spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

Kur flitet për qytete gjithmonë urbanizimi varet nga projektuesit, arkitektët imazhorë dhe ideatorët e strukturave të godinave, fabrikave, shkollave, restoranteve, bareve.

Rrugës për në Labinot-Fushë, larguar paksa Elbasanit, ngrihet një qytet i mëvetësuar, i pa shpallur ende por i formatuar si i tillë. Me një hyrje të tërthortë, si për të treguar dhe për të drejtuar syrin për nga hyrja, të paraqitet një “totalitet” i ri zhvillimor. Qyteti nuk të përngjan me asgjë, por të kujton gjithçka shqiptare.

Unë gjendesha aty ndërmjet, midis kodrave të pafundme me gjelbërim, por të dendur aq sa syri qetësohet në përhumbje. E këndej kisha një polifoni dhe një ansambël të organizuar, në mënyrë të këtillë që vizioni i ëndërrimtarit bëhet “realiteti” dhe zgjimi jot, i vizitorit, i mikut, i të ardhurit.

E kam lënë të takoj më nga afër dhe të diskutoj, ku më së shumti do më duhet të dëgjoj me kërshëri, atë që ka qenë i pari që ka shkelur me dëshirën dhe vullnetin për ta bërë realitet dhe të mundur, një hapësirë dykohësie midis së kaluarës, fëmijërisë, pasioneve, nostalgjisë, ndjenjave e jetës dhe së ardhmes që i dedikohet të vërtetave, punës, politikës, përballjes dhe inovacionit në strukturë, në parim dhe në ide.

Ai është i fundit që largohet me bindjen që çdo strukturë dhe çdo sirtar i ëndrrës të hapet kur t’i vijë koha. Ai nuk ka “dorashka” dhe grepat e tij nuk kapen pas spangos por pas ushqimit, që më pas kthehet në vlerë e nga vlera ngrihet një “qytet” i tërë me 1 mijë e 500 punonjës.

Gjergj Luca është ai që na priste në hijen e verandës, teksa pema e blirit, sublime në gjigandizmin e saj qëndronte para tij, si monument i rezistencës së kohës dhe durimit, aq më shumë të natyrës së fitimtarit.

Pa humbur kohë ai filloi të kujtonte ndërkohë që më bënte pjesë të ‘kredhjes’ në të kaluar.

“Kur kam hyrë unë këtu, kam hyrë mbas 25 vitesh. Kjo ka pasur një drejtor, një nëndrejtor, një shef finance, një përgjegjës, dy magazinierë, dhjetë punëtorë, njëzet roje. Ka pasur mbi 50-60 vetë dhe këtu brenda nuk ka pasur asgjë”.

Përballë meje nëpër kahe periferike, gjendeshin kapanone të kthyer në godina mirëfilli funksionale e që nuk rezervonin apo strehonin më armatime e ushqime apo veshëmbathje, por punë, punëtorë dhe zhvillim.

Më shpjegoi që njërës prej tyre, aty ku gjendej restoranti që ata i drejtoheshin me korrespondencë si “mensa” është ruajtur struktura e çatisë ekzistuese, kohë më parë. Kjo flet shumë për ndarjen e kohës, tek e tashmja që jetojnë njerëzit e tek e kaluara që nuk mund të mohohet por që do të gjykohet kur t’i vijë momenti.

Ai është një njeri i biznesit dhe i punës, me anijet e peshkimit që konkurrojnë me të mëdhajat e Evropës e me telefonin që nuk pushon së dërguari lajmërime, thirrje, punë që ndërlidhen nga një person

“Kur kam hyrë unë këtu ka pasur vetëm kanale, ferra, pisllëqe, pastrime dhe kam ndenjur një vit për t’i bërë. Kjo tani është kthyer në një ndërmarrje që vjen e viziton gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe të huaj që vijnë dhe ngelen pa mend”.

Unë jam njëri prej tyre dhe më mbeti të shëtisja midis rrugëtinash dhe të tatëpjetash aq të organizuara sa mes punëtorësh që kapnin oraret dhe turnet e mesditës, unë sodisja me “tabula rasa”, në mendime por jo në ndjesi.

Mure të tëra godinash shpallnin citate që të kujtojnë patjetër një film, a një moment filmik, një libër a një shfletim a faqosje libri. Njësoj si vendi ku gjendesha.

“Të gjitha këto citate nëpër mure janë vendosur me shumë kujdes, janë të gjitha plagë, ngacmime të jetës time, shqetësime të jetës time që janë vënë dhe prandaj ky është bërë një ishull emocional për njerëzit”.

Nuk ka më rëndësi autori, përsa kohë ngrihet diçka që do qëndrojë e vetme si krijim apo siç Luca preferonte ta quante “xhevahir”.

E nuk është një xhevahir që gurët e çmuar janë blerë nga miniera përballë, a janë transportuar nga fshati më i afërt. Xhevahiri ka qenë aty. U desh një ëndërr që qyteti të bëhej i mjaftueshëm për ta jetuar atë.

Godinat apo kapanonet e përjetësuara në ndasi institucionale, kishin emra nga më origjinalet, por “Prokuroria” dhe “Psikiatria” që qëndronin përbri njëra-tjetrës ishin të pazëvendësueshme. Njëra ishte zyrë, tërësisht serioze dhe hijerëndë që shërbente për mbledhjet e stafit e tjetra ishte një sallë shplodhëse dhe argëtimi.

Duke ecur e duke u shoqëruar nga vapa, po endesha në një ditë të zakonshme pune për ta dhe unë dukesha krejt i paangazhuar, por në fakt për një të panjohur i vetmi angazhim është gjithëpërfshirja masive e burimeve. Ushqime nëpër kontejnerë kamionësh e nëpër fuçi që shpërndaheshin nëpër godinat e açukes, karkalecit, etj.

Në fabrikën e açukes ishte një organizim frenetik pune dhe unë kisha ngecur në ingranazhet e punës së tyre njësoj si Charlie Chaplin në filmin “Modern Times”. Unë shihja lëvizje të automatizuara të një krahu “Nëqoftëse ne punojmë, puna është e prekshme dhe këta që ne kemi liderë, thelbi i këtyre është që këta përditë duhet të promovojnë punën dhe të vërtetën, ashtu siç ne luftën kryesore për të krijuar ndërmarrje të shëndetshme e kemi tek puna dhe e vërteta”.

Sinkroni i lëvizjeve dhe uniformiteti i ngjyrave të përfshinte si një makinacion, të cilin nuk e ndalte asgjë. Dhe përshkrimi apo syri im kapte fragmente midis pushimeve, ku gratë punëtore largonin tensionin e punës duke u dëfryer në kërcim a duke ia nisur një kënge.

E gjitha një shumësi apo bashkësi, ku e përbashkëta ishte pandashmërisht qyteti, aty ku punohet dhe jetohet.

Por, unë nuk qeshë aty për të dëshmuar mallin, ushqimin. Unë jam aty si një vizitor që vërej se si arti bëhet funksional edhe pa qenë nevoja. Unë jam aty për të parë se si natyra është mikpritëse kur qyteti të shoqëron dhe nuk të zapton. Unë jam aty, sepse më duhet të bisedoj ende për të kuptuar vrullin e “qytetit të peshkut”, por që mua më serviret krejt si qyteti që jeton me ëndrrën.

“Fundi i gjithë kësaj dhe ajo që ti pe është ëndrra, më parë ishte puna dhe e vërteta, mbi të cilën ky vend u ngrit, njësoj si Shqipëria, që pas viteve ’90 u kthye në një shkretinë a një shkretëtirë”, shpengoi Luca, ndërkohë që përgatiteshim për intervistën tonë.

Shumë gjëra të shtangin në jetë, ku më së shumti të qëmton realizimi i tyre, i mundit të përkthyer në akt, në vepër, të sjellë në jetë, të ngriturit në mes të shumë bërrylave e pabesive. Por, ja pse jeta nuk ia kalon kurrë ëndrrave, sepse kur e gjitha kjo bëhet realitet të mjafton një qytet për të jetuar ëndrrën tënde…

Më shumë

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img
spot_img
spot_img
spot_img