Nga Ergys Alushi
Vdekja e Skënderbeut, siç e kanë pohuar historianët e kohës, pati pasoja të rënda jo vetëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët, por edhe për aleatët e tyre. Dhe me të vërtetë, me vdekjen e Skënderbeut ranë një nga një fortesat shqiptare dhe vendi u pushtua nga armiku. Shqiptarët të mbetur pa krye, pa mbështetje të brendshme dhe pa aleatë të jashtëm, u shtrënguan të marrin mërgimin.
Vendi më i sigurt për ta qe Italia, ku Skënderbeu, gjatë jetës së tij si luftëtar dhe si politikan kishte krijuar lidhje miqësore me mbretëritë dhe republikat e Italisë. Shumica e tyre zbritën në brigjet e Puljas dhe u vendosën në Italinë e Jugut. Një pjesë e mirë e tyre u hodh në Venetik.
Por, ndërsa shqiptarët largoheshin nga Shqipëria për t’i shpëtuar ndëshkimit turk, përfshi edhe familjen e Skënderbeut, cili ishte fati i varrit të Heroit Kombëtar? 555 vjet nga vdekja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, është ende i panjohur fati i eshtrave të tij dhe nuk ka ende asnjë konfirmim shkencor, zyrtar, për vendndodhjen e vendvarrimit të tij. Ende edhe sot, shqiptarët e të huajt që vizitojnë memorialin e varrit të Skënderbeut, në Lezhë, besojnë se aty ndodhet me të vërtetë varri i heroit kombëtar të Shqiptarëve.
Ndër vite, debatet dhe teoritë për fatin e eshtrave dhe të vendbanimit kanë qenë të shumta, nga shumë historianë e studiues, vendas e të huaj, por deri tani nuk ka patur një dakortësi, apo përfundim shkencor që do të çonte në zbulimin e varrit të vërtetë të Skënderbeut. Thuhet nga shumë historianë, shkrimtarë e studiues se Skënderbeu u varros në kishën Katedrale të Shën Nikollit në Lezhë. Teoritë e gojëdhënat për këtë janë të shumta, por vetëm kaq. Sepse më pas, misteri rrethon varrin e tij edhe sot e kësaj dite, duke mos qenë në gjendje askush për të thënë ndonjë fakt konkret.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e njëzetë të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Prill dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…