
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, i bën thirrje Serbisë që të ndjekë rekomandimet e OSBE-së, për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serb, ministrja gjermane foli gjithashtu edhe për lidhjet e ngushta të Beogradit me Rusinë. Ajo tha se “nëse Serbia dëshiron zgjerimin, atëherë nuk mund të ulet njëkohësisht në dy karrige”.
Prandaj, sipas saj bisedimet e anëtarësimit duhet të shoqërohen me një angazhim për paqen, sigurinë dhe vlerat brenda Bashkimit Evropian.
“Jam jashtëzakonisht e shqetësuar për zhvillimet e fundit, veçanërisht në Serbi, në lidhje me tendencat propagandistike nacionaliste”, tha ministrja e Jashtme gjermane.
Ministrja gjermane e jashtme, Annalena Baerbock, dhe homologia e saj sllovene, Tanja Fajon, deklaruan gjatë takimit të tyre se dëshirojnë të promovojnë integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimornë BE.
Por edhe vendet duhet të kryejnë reformat e tyre në këtë drejtim, thanë dy kryediplomatet pas një takimi të tyre të martën, 5.12.2023, në Lubjanë.
“Nuk mund të ketë zona gri në Evropë”, tha Annalena Baerbock. “Në një kohë kur presidenti rus, i cili në çmendurinë e tij perandorake po sulmon jo vetëm Ukrainën, por edhe rendin e paqes në Evropë, duhet të jetë e qartë se ne mbrojmë këtë paqe”, tha ministrja e Jashtme.