Ministrja e Punëve të Jashtme të Francës, Catherine Colonna, i bëri thirrje se Bashkimit Evropian, duke thënë se duhet të miratojë së shpejti paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë.
Duke folur gjatë një konference të përbashkët shtypi në Berlin me homologen e saj gjermane, Colonna theksoi nevojën “për të forcuar mbështetjen për Ukrainën”.
“Ne duhet të miratojmë shpejt paketën e gjashtë të sanksioneve që do të parashikojë përfundimin progresiv të importeve të naftës ruse,” tha Colonna, e cila u emërua në detyrën e saj javën e kaluar.
Pavarësisht kundërshtimit nga vende si Hungaria, Colonna tha se është “optimiste” se paketa do të miratohet dhe përgëzoi unitetin e treguar nga BE në mbajtjen e Rusisë përgjegjëse për luftën në Ukrainë.
“Duhet të vazhdojmë sepse ky unitet është forca jonë”, theksoi Colonna.