Ministria e Brendshme reagon pas akuzave që ka bërë në Kuvend sot deputeti Agron Shehaj. Ky i fundit është shprehur se prej tre javësh biznesi i është bllokuar nga Policia me shirita dhe rreth 200 punonjës nuk lejohen të shkojnë në zyrat e tyre.
Referuar reagimit zyrtar, Ministria e Brendshme shprehet se fotot e publikuara nga deputeti Agron Shehaj, janë dëshmi se efektivët e Policisë së Shtetit dhe ata të IKMT kanë qenë në krye të detyrës dhe kanë bllokuar një pallat me 55% të kateve pa leje.
“Eshtë pikërisht ky objekt me mbi 55% shtesë kati, ose thënë ndryshe 560 m2 pa leje, ku kompania e deputetit Shehaj ka vendosur aktivitetin. E megjithë paligjshmërinë në flagrancë, nga shkelësi artikulohet me lehtësinë më të madhe, akuza për mbyllje biznesi të ndershëm”, thuhet në njoftim.
Reagim i Ministrisë së Brendshme
Me një sqarim të detyruar, por jo të dëshiruar, Ministria e Brendshme u përgjigjet akuzave të deputetit Agron Shehaj, që vijnë nga salla ku presupozohet se ai ka shkuar për të diskutuar e marrë vendime të rëndësishme për ata që e kanë votuar. Ai sot është përpjekur të sulmojë institucionet ligjzbatuese dhe të ‘mbrojë’, paligjshmërinë e tij.
Fotoja që publikoi deputeti Shehaj është dëshmi e saktë, e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe IKMT në krye të detyrës, për bllokimin e një ndërtese subjekt i ligjit për penalizimin e ndërtimeve pa leje me qëllim fitimi.
Eshtë pikërisht ky objekt me mbi 55% shtesë kati, ose thënë ndryshe 560 m2 pa leje, ku kompania e deputetit Shehaj ka vendosur aktivitetin. E megjithë paligjshmërinë në flagrancë, nga shkelësi artikulohet me lehtësinë më të madhe, akuza për mbyllje biznesi të ndershëm.