Në dakordësi dhe bashkëpunim me Departamentin e Shtetit, shtetasit shqiptarë tashmë mund të udhëtojnë drejt SHBA edhe nëse pasaporta e tyre skadon në 6 muajt e fundit përpara udhëtimit.
Lajmin e mirë e ka bërë me dije vetë ministri i Jashtëm Igli Hasani. Gjithashtu, është rënë dakort edhe për ata shtetas shqiptarë të cilët kthehen nga SHBA drejt Shqipërisë mund të udhëtojnë edhe nëse pasaporta e tyre ka skaduar.
Ky vendim është marrë ditën e sotme gjatë takimit që Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, zhvilloi në Tiranë me përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit, vendim i cili e fut Shqipërinë në të ashtëquajturin “Grupi i Klubit 6 mujor”.
Këtë të mërkurë, 29 Nëntor delegacioni amerikan së bashku me diplomaten Suzy George, Shefe e Kabinetit të Departamentit të Shtetit të SHBA, zhvilluan një takim edhe me kryeministrin Rama për të theksuar dhe njëherë partneritetin e fortë strategjik mes dy vendeve.
Pjesë e delegacionit që zhvilluan takimin ishte Suzy George, Shefe e Kabinetit të Departamentit të Shtetit të SHBA, Rena Bitter, Ndihmëse Sekretare e Shtetit për Çështjet Konsullore dhe Mara Tekach, Koordinatore mbi Përpjekjet për Zhvendosjen e Afganëve.
Delegacioni i SHBA diskutoi dhe theksoi partnetitetin dhe lidhjen e fortë të dy vendeve dhe mënyrat si mund te forcohet më tej marrëdhënia dypalëshe në demokraci, mbrojtje dhe biznes.