Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ka deklaruar sot se Policia e Shtetit është duke punuar përditë për të zbardhur zhdukjen e biznesmenit të basteve Ervis Martinaj. Sipas tij, autoritetet nuk kanë shkop magjik ta zbardhin menjëherë ngjarjen, sepse 40 vjeçari është një personazh i komplikuar.
“Policia e Shtetit vepron sipas ligjeve dhe ka përgjegjësi ligjore për të deklaruar një fakt të caktuar. Nga Policia e Shtetit ju do merrni një përgjigje përfundimtare vetëm kur të ketë një provë të fortë për çfarë ka ngjarë në lidhje me këtë personazh”, tha Çuçi.
Pjesë nga fjala e Ministrit të Brendshëm:
Ka pas një vëmendje të posaçme për të zbardhur gjithë këtë mjergull që është ngritur rreth fatit të Ervis Martinaj. Policia e Shtetit jo vetëm po punon për zbardhjen e kësaj ngjarje, por edhe ka komunikuar me publikun në lidhje me këtë gjë. Ju keni qenë të informuar gjatë kësaj periudhe për veprime policore që lidhen drejtpërdrejt me zbulimin e kësaj ngjarje.
Policia e Shtetit vepron sipas ligjeve dhe ka përgjegjësi ligjore për të deklaruar një fakt të caktuar. Nga Policia e Shtetit ju do merrni një përgjigje përfundimtare vetëm kur të ketë një provë të fortë për çfarë ka ngjarë në lidhje me këtë personazh. Pastaj thashethemet, skenaret, ato nuk janë çështje e Policisë.
Nuk ka një shkop magjik që të zbardhë menjëherë një situatë të caktuar kriminale, aq më tepër me një personazh kaq të komplikuar të botës së krimit. Historia botërore është e mbushur me figura të tilla… Unë të garantoj që Policia e Shtetit ka një vëmendje të posaçme dhe merret çdo ditë me zbardhjen e kësaj historie.