Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në deklaratë mediat ka folur për çështjen e McGonigal, ku ka hedhur edhe akuza ndaj kryeministrit Edi Rama.
Ai u shpreh se Ramën e zuri “gripi doplomatik” dhe u zhduk për 5 ditë, ndërkohë që vendi “ziente” për çështjen e McGonigal.
Berisha nën akuzat e tij nuk ka kursyer as ish-kreun e PD, Lulzim Basha duke thënë se ai ka mbyllur gojën për këtë çështje, dhe sipas tij kjo është e turpshme.
Po ashtu Berisha tha se pas këtij skandali anëtarë të kabinetit kanë paraqitur dorëheqjet e tyre nga postet e ministrave.
“Disa ministra kanë dhënë dorëheqje. Emrat do i bëj të ditur në një moment të dytë”, tha Berisha.
“Afera Edi Rama-McGonigal është një nga aferat më të shëmtuara. Edi Rama nuk foli një fjalë, u sëmur nga gripi diplomatik, burime të tjera thonë se fluturoi jashtë vendit, por një gjë është e sigurt; 5 ditë me radhë, në një kohë kur të gjitha mediat e botës lakonin për zi emrin e tij, për fat të keq dhe të Shqipërisë, që kishte përdorur një ish-oficer të sigurimit të shtetit për të korruptuar njeriun më të jashtëzakonshëm të agjencisë më të fuqishme të planetit, shefin e kundërinteligjencës së FBI-së, Charles McGonigal.
Edi Rama hesht si kurrë ndonjëherë në jetën e tij. Burime plotësisht të besueshme më kanë informuar se në heshtjen e Edi Ramës, një rol të veçantë ka guvernatorja Yuri Kim. E cila i ka kërkuar atij të mos bëjë asnjë deklaratë. Po këto burime informojnë se, deklarata qesharake e Edi Ramës për të përgënjeshtruar miqësinë e tij me McGonigal, të cilin edhe mediat më të mëdha amerikane po e tallin, ka qenë një këshillë e guvernatores.
Në këto momente kur zien e gjithë bota, kur zien mediat e gjithë botës dhe jo vetëm të SHBA, ajo që bën përshtypje më të madhe është se edhe viktim-Basha ka mbyllur gojën si me zinxhirë.
A mund të imagjinoni ju ndonjëherë, një rast kur krimineli që e vrau atë, që përdori një nga njerëzit më të fuqishëm të planetit në fushën e zbulimit kundër tij, tani nuk flet prej 7 ditësh asnjë fjalë, sikur nuk ekziston. Ftoj shqiptarët të pyesin: si ka mundësi? Si ka mundësi që ky njeri tani që u bë e qartë se Edi Rama ka përdorur McGonigal si vrasës me pagesë në aferën Muzin kundër tij, nuk thotë një fjalë të vetme” tha Berisha ndër të tjera.