Hapësire reklamuese

Kulture & Art

Mimika Luca, zëri dhe zemra e butë, që u përjetësua si një shkëlqim në artin skenik

Shkruar nga Newsbomb

Si sot një vit më parë (21 shkurt 2023) u shua një nga aristet më të mëdha të skenës shqiptare, Mimika Luca. Aktorja prej disa kohësh vuante ishemia cerebrale. Mimika Luca, cilësohet si një aktore shumëdimensionale si në teatër ashtu edhe në kinematografi.

E lindur në Gjirokastër, më 24 dhjetor të vitit 1937, Mimika interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë nga viti 1951 – 1962, ku edhe spikati për talentin dhe për aftësitë e saj fizike. Pas njohjes me bashkëshortin Ndrek Luca, Mimika iu përkushtua me dashuri artit dramatik ku dhe pati sukses në interpretimet e saj, me mbi 30 role në Teatrin Popullor.

Lexo edhe: Një vit pa artisten e madhe, Gjergj Luca kujton nënën me fjalë të ndjera

“Kujtimi i saj do jetojë gjatë në botën e kinematografisë shqiptare dhe zemrat e publikut artdashës”, shkroi ministri Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale, të cilin e shoqëroi me një kolazh nga filmografia e aktores.

Me hijeshinë që e karakterizonte, Mimika Luca ka interpretuar në shumë filma artistikë e teatër si: “Treni niset më shtatë pa pesë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Rrethimi i vogël”, “Taulanti kërkon një motër”, “Në shtëpinë tonë”, “Shi në plazh”, etj. Në vitin 1977 ajo u emërua pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega e Dramës.

Në 1-vjetorin e vdekjes së saj gazetari Alber Vataj i dedikoi artistes një shkrim jete për kontributin që ajo i ka dhënë skenës shqiptare.

Nga Albert Vataj:

SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES

Një vit më parë, më 21 shkurt 2023, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare, Mimika Luca, duke lënë pas një emër të skalitur me pasion dhe përkushtim në panteonin e artit tonë skenik. Do të shuhej edhe një tjetër shkëndi në llamburitjen e qiellit, ku një plejadë e tërë regjisorësh, aktorësh, skenaristësh, kineastësh, kostumografësh, fotografësh, etj., etj., me punën dhe sakrificat e tyre, dëshmuan se kishin ardhur për të ndërtuar tempullin e kinematografisë shqiptare, të asaj tradite që mbeti sprovë e kurajës dhe besimit, një thesar në kujtesën e gjeneratave dhe faqe në historinë e artit shqiptar.

Mimika Luca, ju dha amshimit, ashtu paqësisht siç ishte krejtkund prania, zëri dhe shpirtja e saj u gjegj duke mëkuar, më shumë se aktoren, nanën, vetë lartësimin e atij hyjnimi, ku çdo grua shenjtërisht ngjitet për t’u shndërruar në një yll të shkëlqimshëm.

Ajo nuk do të mund të vijë më, si herë të tjera të festojë ditëlindjet, apo kremtet e zëshme të një zemre nëne, në Fish City, aty ku djali i saj, Gjergji, ka shndërruar kufomën e një të shkuare zezonash, në një mrekulli të sipërmarrjes. Ajo mungon prej një viti shkallëve të pallatit ku ajo jetonte. Nuk është më çapitja e atyre hapave të lehte dhe kumbimi i butë i atij zëri, që ngrohu shpirtje dhe përtërini përjetime te të gjithë ata që ishin çdoditshmëria e saj.

Kinematografia shqiptare, ajo sprovë e vullneteve dhe pasionit për të bërë më të mirën në një kohë kufizimesh dhe mbikëqyrjes së censorëve komunistë, pamundësishë të panumërta dhe kufizimesh vrastare, u nda me Mimikën, siç u nda me dhjetëra e dhjetëra jetë, që lanë shpirtin e tyre në themelet e kësaj ngrehine.

Mimika Luca është tashmë një vepër dhe vlerë në kujtesë, është e gjallë në rolet që ajo përjetësoi përkushtimin, është sërish te filmat, “Detyrë e posaçme” (1963), “Kryengritje në pallat” (1972). Ende nuk mund të harrohet Laja në filmin “Kur hidheshin themelet” – (1978), nëna e Anës te “Në shtëpinë tonë” – (1979), Drita në “Zambakët e Bardhë” – (1983), drejtoresha e shkollës në “Nxënësit e klasës sime” (1984), edukatorja te “Taulanti kërkon një motër” – (1984).

Spikat Mimika Luca me delikatësën e një nëne të ve dhe në merak për Alberin, në komedinë “Shi në plazh” – (1984), shkruar Teodor Laço, me regji të Gëzim Kame dhe muzikë të Aleksander Lalo. Sërish me rolin e nënës ajo solli shpirtjen e saj të thellë në filmin, “Të shoh në sy” (1985), nëna e Marigosë në komedinë legjendare, “Përrallë nga e kaluara” – (1987), nëna e Etlevës në “Treni niset më shtatë pa pesë” – (1988). Për të mbetur e tillë, Mimika e madhe e bukurisë dhe brishtësisë së një shpirti, te Shega në filmin “Rrethimi i vogël” – (1986), Leni, bashkëshortja e Iliazit, “Botë e padukshme” – (1987), “Viktimat e Tivarit” (1996).

Rolet që ajo luajti ndoshta nuk ishin role të mëdha, por zemra e sajë e madhe i dha zemër çdo nëne që ajo solli në jetë, identitet çdo personazhi që ajo e veshi me pasion dhe përkushtim, duke dëshmuar se një aktore e madhe mund ta tregojë madhështinë e talentit të vet edhe në role të vogla.

Mimika ishte një prej atyre aktoreve të kinematografisë shqiptare, e cila nguliti në celuloid dhe memorien një vetvete të patëdytë, një integritet të mbujtur me ambicie dhe përkushtim. Ishte dhe mbeti unike, duke qenë e favorizuar edhe nga karakteri dhe personaliteti, nga butësia dhe brishtësia, nga zëri dhe shprehia e saj e fytyrës. Ishin këto veçanti që i garantuan asaj një vend të privilegjuar në filmin shqiptar, në jetësimin e gjallë që ajo u dha personazheve që ju besuan.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese