Tirana
light rain
25.5 ° C
25.5 °
25.5 °
57 %
4.6kmh
40 %
Die
25 °
Hën
26 °
Mar
26 °
Mër
26 °
Enj
27 °
E diel, 4 Qershor, 2023

Milo: Zogu, Enveri e Demokracia, pikat e nxehta të tekstit të historisë

Lajme të ngjashëm

Një komision për rishkrimin e historisë ka mbledhur bashkë historianë e politologë për të rishkruar historinë shqiptare. Paskal Milo, historian, por edhe kryetar i Partisë Demokracia Sociale thotë për “newsbomb” se në 15 mars, të gjithë anëtarët e komisionit do të dorëzojnë punimet e tyre, të cilat më pas, do t’i nënshtrohen një debati publik profesional mes kolegësh. Sipas Milos periudha zogiste, ajo e komunizmit, dhe e demokracisë pritet të jenë temat më të nxehta.

Paskal Milo, nuk lë pa “thumbuar” edhe ata që i konsideron “pretendentë për historianë” që shkruajnë libra të bukur me tituj bombastikë sipas tij, dhe që pretendojnë se shkruajnë histori. Mes rreshtave, duket se thumbat e Milos shkojnë për gazetarin Blendi Fevziu, i cili ka shkruar dy vitet e fundit dy libra një për Enver Hoxhën e një për Ahmet Zogun. “Ka shumë njerëz që pretendojnë se janë historianë me apo pa arsim përkatës e specializime, për të mos folur për kulturë historiografike. Për këtë kategori të shtuar njerëzish në Shqipëri, mjafton të shkruajnë çfarëdo libër me subjekt nga historia e mjafton të vendosin një titull herë intrigues  e herë pa asnjë lidhje me çfarë kanë shkruar, e të vetëshpallen historian” thotë Milo.

Në shtator të vitit të kaluar u promovua me bujë krijimi i komisionit për rishikimin e historisë pjesë e së cilit jeni dhe ju. Çfarë ka bërë deri më sot ky komision dhe cili është problemi më i madh në rishikimin e historisë?

Komisioni për rishkrimin e teksteve të historisë së Shqipërisë për arsimin parauniversitar është duke punuar për të përmbushur detyrat që ka marrë përsipër. Të enjten ne patëm një takim pune të radhës, në të cilin diskutuam bashkërisht një projekt të parë të asaj pjese të tekstit që ka marrë përsipër të shkruaj historiani gjerman Mikael Shmidt -Neke.Të gjithë autorët e teksteve janë duke shkruar për të dorëzuar pranë Komisionit kontributet e tyre deri në 15 mars.

Rishkrimi i historisë është një proces normal në historiografinë e çdo vendi të qytetëruar e të zhvilluar demokratik. Historia rishkruhet në kohë e breza të ndryshëm për shumë arsye, gjithnjë duke u nisur nga kritere objektive, profesionale e shkencore. Aq më tepër, ajo ka nevojë të rishkruhet kur vende të caktuara hyjnë në periudha ndryshimesh e përmbysjesh epokale social-ekonomike e politike.

Për mua problemi më i madh në rishkrimin e historisë në vendin tonë deri tani ka qenë ndërhyrja e politikes, diktimi prej saj në një numër rastesh, sidomos për historinë e shekullit të XX-të  se si duhej interpretuar, se cili duhej përmendur dhe cili jo, se cili ishte patriot, e cili tradhëtar, etj.

Në komision bashkë me ju është edhe Bernd Fischer. Ju dhe ai keni mendime të ndryshme sa i takon historisë, si ju ka shkuar bashkëpunimi?

Unë dhe Bernd Fisher jemi kolegë dhe miq të vjetër prej mbi 20 vitesh. Për herë të parë jemi takuar në Londër në korrik 1994 në arkivat britanike. Pa dyshim që çdo historian ka individualitetin e tij, këndvështrimet e tij për ngjarje të caktuara historike që janë rrjedhojë e reflektimeve vetjake pas kërkimeve arkivore e bibliografike që mund të ndryshojnë nga ato të kolegëve të tjerë. Gjithnjë bëhet fjalë për historianë profesionistë, me integritet, që e dashurojnë profesionin e tyre, që respektojnë kodin e etikës e të ndershmerisë profesionale. Bukuria e profesionit të historianit serioz është etja e pashuar për kërkime, për t’i shkuar sa më afër të vërtetës historike. Ajo kërkon vullnet të madh për punë e kërkim, por edhe aftësi për të interpretuar e për të shkruar qartë e bukur historinë e një ngjarjeje apo personaliteti.

Ka shume njerëz që pretendojnë se janë historianë me apo pa arsim përkatës e specializime, për të mos folur për kulturë historiografike. Për këtë kategori të shtuar njerëzish në Shqipëri, mjafton të shkruajnë çfarëdo libër me subjekt nga historia e mjafton të vendosin një titull herë intrigues  e herë pa asnjë lidhje me çfarë kanë shkruar, e të vetëshpallen historianë.

Zoti Fisher dhe unë jemi historianë që kemi objekt studimi shekullin e XX-të. Kemi parë thuajse të njëjtat arkiva të huaja, kush më shumë e kush më pak. Unë kam privilegjin si historian shqiptar  të kem parë deri në detaje dokumentet e arkivave shqiptare për historinë e Shqipërisë, privilegj që kolegu im Fisher për fat të keq nuk e ka patur. Por kjo nuk e ka penguar atë, që me talentin që ka, e përgjegjësinë e profesionistit të shkruaj libra tërheqëse për historinë shqiptare të shekullit të XX-të dhe të gëzojë respekt te lexuesi e kolegët shqiptarë. Bashkëpunimi im me Fisherin është i shkëlqyer. Edhe kur kemi patur e kemi natyrisht edhe këndvështrime jo të njëjta për çështje të caktuara, jemi ulur bashkë e kemi diskutuar si kolegë dhe me argumenta dhe ia kemi dalë deri tani që të gjejmë formulimet më të sakta edhe atje ku politika, apo njerëzit që bëhen ekspertë për gjithçka fusin duart e përpiqen të gatuajnë sipas oreksit e interesave çorba historiografike.

Në komision, veç të tjerëve jeni ju dhe z. Xhufi. Pavarësisht profesionalizmit, e shkuara juaj politike, a nuk e paragjykon punën e këtij komisioni?

Unë dhe zoti Xhufi jemi historianë me përvojë dhe me integritet shkencor profesional. Në politikë u ftuam të kontribuojmë në një moment zbrazësie të klasës politike shqiptare si shumë intelektuale e kolegë të tjerë, të cilët sipas bindjeve e dëshirave zgjodhën alternativën politike, kush të djathtë e kush të majtë, dikush në qendër e dikush në ekstreme. E drejta e gjithësecilit në demokraci.

Por duke folur për veten time, dua të nënvizoj fort si shumë e shumë herë ndër vite se historian nuk më bëri politika, por pasioni im i madh për historinë që kur kam qenë fëmijë e i ri në bankat e shkollës; më bëri edukata që më dha babai im mësues dhe mbështetja që më dhanë profesorët e mi të nderuar në universitet, që i kujtoj me respekt e nderim të madh.

Historia është ndër pasionet e dashuritë e mia të mëdha. Nuk e tradhëtoj kurrë të vërtetën historike për politikën. Politikës, aq sa jam angazhuar e kam kontribuar, jam përpjekur t’i jap në mënyrë modeste një profil sa më të drejtpeshuar e sa më qytetar. Politika ka përfituar nga qenia ime si historian, por jo unë si historian nga politika. Kjo e fundit më ka humbur e më ka borxh 25 vite ku mund të kisha shkruar shumë libra të tjerë .

Cilat janë pikat për të cilat ka më shumë debate në komision por edhe në historinë shqiptare?

Në të shkruarit e historisë debati shkencor dhe jo ai vulgar, siç shohim rëndom nëpër ekranet televizive, është si ajri i pastër e i shëndetshëm për njeriun. Debati është zhvillim, është ushtrimi i mendjes, është konfirmimi i të vërtetave historike përmes argumenteve, dokumenteve e dëshmive të tjera mbështetëse. Pa debat e shkëmbim informacioni nuk mund të kuptohet bukuria e shkencës historike. Debat, por jo sharje e vulgaritete.

Me që në se në Shqipëri ende historia e afërt e saj ende i ka të ndarë në një pjesë të madhe njerëzit mbi bazën e trashëgimisë politike të Luftës së Dytë Botërore e të periudhës komuniste, trajtimi i historisë së tyre është ende polemizues. Ndaj edhe periudha e monarkisë, ajo e Luftës dhe e pas luftës mbeten pjesët më të ndjeshme, më problematike. Ne kemi një detyrë shumë të vështirë për ta shkruar me objektivitet maksimal  dhe jemi duke punuar. E dimë e jemi të ndërgjegjshëm që njerëz të caktuar , kolegë të caktuar ose pseudokolegë që mund të jenë në aleancë me politikën opozitare  e që pa filluar ende nga puna hodhën kritikat e dyshimet e tyre të para e krejtësisht pa baza kundër Komisionit e projektit të rishkruarjes së teksteve shkollore të historisë, do të ngrehin çarqet e kritikës e pusitë për të goditur nesër, sado e mirë të jetë puna e kryer. Janë të mirëpritur në synimin e tyre. Ne do të marrim në konsideratë çdo mendim e sugjerim racional .

Përfundimet e këtij komisioni, a rrezikojnë të hidhen poshtë pas disa vitesh kur në krye të qeverisjes të jetë sërish e djatha dhe të kërkojë një tjetër rivlerësim të historisë?

Reforma që po bëhet sot në rishkruarjen e teksteve të historisë nuk është revanshi politik i radhës siç ka ndodhur në vite të shkuara. Procesi do të jetë transparent, do t’i nënshtrohet një diskutimi masiv në komunitetin e specialistëve historianë e të mësuesve të historisë. Nuk do të diskutohet dhe as do të votohet në Kuvendin e Shqipërisë. Shqetësimi duhet të jetë i të gjithëve për të shkruar libra të mirë për fëmijët e nxënësit që nuk duhet të edukohen me ndjenjat e ndarjes e të mërive të ushqyera nga politika, por me ndjenjën e bukur e të shëndetshme të solidaritetit e të respektit si anëtarë të shoqërisë qytetare me të ardhme evropiane.


Më shumë