Hapësire reklamuese

Politikë

"Miliona euro dëm për bizneset", Oerd Bylykbashi: Qeveria të dëmshpërblejë pronarët që u dëmtuan nga gripi i shpendëve

Shkruar nga Newsbomb

Gripi i shpendëve shkaktoi një dëm të madh në industrinë e prodhimit të mishit të pulave dhe vezëve, pasi më shumë se 750 mijë pula ngordhën dhe u asgjësuan për shkak të kësaj epidemie.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, ka këkruar nga qeveria që të dëmshpërblejë pronarët e këtyre bizneseve, të cilët sipas tij kanë pësuar miliona euro dëme, por nuk kanë marrë asnjë lloj dëmshpërblimi, pavarësisht se u takon me ligj.

Ai shprehet se ngordhja e qindra mijëra pulave ka sjellë edhe shtrenjtimin e vezëve, ndaj dëmshpërblimi për pornarët e këtyre bizneseve do të sillte edhe uljen e çmimit për një nga produktet bazë të shportës.

Postimi i plotë:

Shqiptarët kanë nevojë për qeverisje, jo për kakarisje propagandistike qeveritare!

Industria e prodhimit të mishit të pulave dhe vezëve është sot në gjunjë nga gripi i shpendëve.

Zona zgjedhore, Qarku Durrës, ku shërbej si deputet është qendra e krizës.

Këtu ndodhet 60% e kësaj industrie të rëndësishme për ekonominë e Shqipërisë, me 400 të punësuar që rrezikojnë vendet e punës, pra 400 familje që rrezikojnë varfëri edhe me të thellë nga papunësia dhe rroga e munguar. Por mbi të gjitha pasojat rëndojnë shumë mbi konsumatorët familjarë.

754.000 krerë kanë ngordhur apo janë asgjësuar për shkak të epidemisë. Ky është një dëm me pasoja të mëdha për ekonominë e zonës, por edhe më gjerë në Shqipëri.

Por po aq, është me pasoja të rënda tek konsumatorët, për shkak të shtrenjtimit të çmimit.

Veza është produkt bazë i shqiptarëve, e sa më shumë varfërohet xhepi, aq më shumë familjet përdorin ushqimet bazë.

Kriza që ka shkaktuar epidemia e ka çuar në qiell çmimin e vezëve. Në janar e shkurt, kur epidemia nuk kishte goditur ende, një kokërr vezë me shumicë  ishte 11 lekë/kokërr ndërsa sot është 22 lekë/kokërr, pra është rritur 100%.

Me pakicë një kokërr vezë më parë kushtonte 15-17 lekë, ndërsa sot kushton 26-35 lekë, pra është dyfishuar.

Por, ndërkohë, që e gjithë shporta e ushqimeve bazë është shtrenjtuar drastikisht brenda një muaji, çmimi i vezëve nuk është rritur sepse plasin bombat në Kiev siç i pëlqen Ramës të thotë, por sepse ka plasur gripi i shpendëve.

Qeveria u përpoq ta fshihte fillimisht epideminë e gripit të shpendëve. Në fillim e quajti “laringo-trakeit infektiv”. Vetëm më pas u detyrua të pranonte që ishte grip shpendësh H5N8.

Arsyeja e shmangies është shumë e thjeshtë: qeveria është e detyruar nga ligji dhe aktet normative të Këshillit të Ministrave që të dëmshpërblejë industrinë e prodhimit të vezëve për humbjet nga gripi i shpendëve.

Sa më vonë të cilësohej natyra e vërtetë e ngordhjes nga gripi i shpendëve, aq me pak krerë të ngordhura apo asgjësuara duhen dëmshpërblyer. Ligji për shërbimin veterinar i vitit 2011, VKM 408/2013 dhe Plani i Kontigjencës i viti 2021 detyrojnë shtetin të përballojë nga buxheti shpenzimet për çrrënjosjen e sëmundjes dhe dëmshpërblimin e bizneseve për krerët e ngordhur apo asgjësuar.

Urdhërat e ministrit për këtë qëllim janë nxjerrë  dhe janë në fuqi.

Por fakti është që shteti nuk ka kryer asnjë qindarkë kompensim.

Dëmi që kanë pësuar bizneset e zonës së Durrësit që kam nderin dhe detyrën të  përfaqësoj, llogariten me  miliona Euro. Po të llogariten edhe bizneset në zona të tjera të prekura, shifra rritet.

Shteti e di detyrimin e vet por hesht dhe zvarritet.

Pasoja është e drejtpërdrejtë tek konsumatorët që nuk përballojnë dot dietën bazë ushqimore. Jo çdo çmim rritet nga bombat në Ukrainë. Në rastin konkret, shteti shkel ligjin.

Në fillim të marsit u pagoi 10 milion Euro personave në kërkim për kontratën korruptive të inceneratorëve, por asgjë nuk bëri të dëmshpërblejë sipas deyrimit ligjor që industria shqiptare e prodhimit të ushqimit bazë të rimëkëmbet sa më shpejt dhe çmimi i një produkti bazë të ulet e të jetë i përballueshëm për hallexhinjtë, pensionistët, nënat për fëmijët e tyre.

Për qeverinë mundet që pulat janë trembur nga bombat ruse, për prokurorinë, ky skandal duhet të jetë së paku shpërdorim detyre, por për konsumatorët e zakonshëm ky është një  çmim që ua bën jetën të papërballueshme.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll