Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim Ambasadoren e re të Letonisë në Shqipëri, Solvita Āboltiņa.
Meta e ka uruar ambasadoren për detyrën e re, ndërkohë shprehet se e garantoi atë për vijimin e kontributit të Shqipërisë në kuadër të forcave të NATO-s në Letoni.
Mesazhi i plotë i Metës:
Pata kënaqësi të prisja sot Ambasadoren e re të Letonisë në Shqipëri, rezidente në Itali, Znj. Solvita Āboltiņa, një personalitet mjaft i spikatur politik e diplomatik, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
E urova në detyrën e re dhe e sigurova për bashkëpunim të ngushtë në arritjen e objektivit të përbashkët për forcimin e mëtejshëm e në të gjitha fushat të marrëdhënieve dy palëshe.
Shqipëria dhe Letonia, si aleate në NATO, ndajnë vizione të përbashkëta për sfidat e sigurisë europiane.
Garantova për vijimin e kontributit të Shqipërisë në kuadër të forcave të NATO-s në Letoni.
Gjithashtu falenderova autoritetet letoneze për mbështetjen konsekuente për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Mirënjohës Letonisë për ndihmat humanitare për lehtësimin e pasojave të tërmetit dhe përmbytjeve në vend.