Hapësire reklamuese

Politikë

Meta në të njëjtën linjë si Berisha: Qëllimi i qeverisë është dobësojë opozitën

Shkruar nga Newsbomb
Meta në të njëjtën linjë si Berisha: Qëllimi i

Edhe pse me dalje të rralla në mediat kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mbajtur ditën e sotme një konferencë për mediat.

Sipas Metës, objektiv i vetëm i qeverisë nuk është të zhvillojë vendin, por të dëmtojë dhe dobësojë opozitën dhe opozitarizmin duke investuar para të jashtëligjshme për përçarjen, blerjen apo kapjen e saj.

Më tej, teksa analizon Reformën Zgjedhore, ai thotë se nuk do të ketë reformë reale nëse nuk zgjidhet ndëshkimi për shit-blerjen e votës, kriminalizimin e procesit zgjedhor dhe shpërdorimin mafioz të fondeve publike dhe administratës shtetërore nga Qeveria në zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe 14 majit 2023 të vërtetuara edhe nga raportet e OSBE –ODIHR.

Pjesë nga deklarata e Metës

Objektivi i vetëm i Qeverisë nuk është të zhvillojë vendin por të dëmtojë dhe dobësojë opozitën dhe opozitarizmin duke investuar para të jashtëligjshme për përçarjen, blerjen apo kapjen e saj, siç ka ndodhur në të kaluarën, duke shkatërruar institucionin e zgjedhjeve, si dhe duke përdorur politikisht instrumente të pushtetit gjyqësor dhe hetimor.

Vota është fuqia e vetme dhe më e fortë në demokraci!

Ka ardhur koha që Shqipëria tëndjekë shembullin e shkëlqyer të Kosovës, të funksionimit të demokracisë dhe besimit te vota e lirë.

Reforma zgjedhore është një kusht i domosdoshëm për realizimin e një gare elektorale me kushte të barabarta, që parandalon me efikasitet shit-blerjen e votës, garanton mospërfshijen e administratës në zgjedhje, sidomos Policisë së Shtetit, ndalon angazhimin e bandave dhe përdorimin e aseteve kriminale, si dhe u mundëson qytetarëve një klimë paqësore.

Por nuk mund të ketë Reformë Zgjedhore reale nëse:

Nuk analizohet thellë dhe nuk zgjidhet ndëshkimi për shit-blerjen e votës, kriminalizimin e procesit zgjedhor dhe shpërdorimin mafioz të fondeve publike dhe administratës shtetërore nga Qeveria në zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe 14 majit 2023 të vërtetuara edhe nga raportet e OSBE –ODIHR;

Nuk eliminohet shit-blerja e votës në Komisionin e Reformës Zgjedhore, që aktualisht është kapur nga Edi Rama i ndihmuar nga zgjatimet e tij në opozitë;

Nuk eliminohen ndryshimet e njëanshme nga “Rilindja” siç ndodhi me ndryshimet kushtetuese të vitit 2020, që shkatërruan marrëveshjen politike të 5 qershorit 2020 dhe ndryshimet që ajo prodhoi;

Nuk garantohet përfaqësimi i opozitës së vërtetë në mënyrë të plotë në bashkëdrejtimin e Komisionit dhe në përbërjen e tij në bazë të parimit të proporcionalitetit;

Nuk garantohet vota e emigrantëve e cila është realizuar me ndryshimet e 5 qershorit 2020 të Kodit Zgjedhor, por është bllokuar qëllimisht zbatimi i saj në praktikë nga “Rilindja” dhe segmentet në saj në KQZ.

Është tepër serioze dhe kritike që pavarësisht krijimit të Komisionit Parlamentar Ad Hoc për reformën zgjedhore në shkurt 2022, nuk është bërë asnjë përparim në miratimin e ndonjë teksti dhe në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Është jetike, siç theksohet së fundmi edhe në Rezolutën e Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asocimit, për përfshirjen e fortë të Parlamentit për të nxitur angazhimin real të opozitës në këtë proces, për të garantuar përfaqësimin e plotë dhe gjithëpërfshirjen në Reformën Zgjedhore.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese