Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi foli këtë mbrëmje për alternativat që mund të ofrojë mazhoranca si kandidatë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit në 6 bashki të vendit. Ai u shpreh në një intervistë në “A2 CNN” se PS ka qenë gjithmonë më e pasur me figura intelektuale, krahasuar me opozitën.
“Sa i përket emrave, ne jemi shumë më të pasur me vlera njerëzore se opozita, me njerëz që meritojnë të zgjidhen edhe në nivele të larta në nivel vendor apo qendror. Unë gjykoj që ndër vite, PS ka qenë gjithmonë më e pasur me figura intelektuale, krahasuar me palën tjetër, e cila në sjelljen e saj ka qenë shpesh e vrazhdë, deri edhe kriminale. Duke pasur parasysh ngjarje si vitit 1997, 21 janari, kuptohet që një intelektual apo një i paanshëm i qëndron larg”, tha deputeti Petro Koçi.
Teksa u ndal tek kriza që po kalon opozita, deputeti tha se “Trekëndëshi i 21 janarit”, siç e quajti ai, është duke i hapur “petët lakrorit”, duke shtuar se me presidentin Meta brenda, skenari bëhet edhe më i kompromentuar.
“Sot, trekëndëshi më i kompromentuar është ai i “21 janarit”, Meta-Berisha-Basha. Po flasim për një katarsis në PD. Të dyja palët janë duke i nxjerrë petët lakrorit. Mendoj se ky është një proces pozitiv për vlerësimin e opinionit publik, por qe tregon se dimensionet e lidershipit në PD janë tejet të kompromentuara, natyrisht me Metën brenda, skenari bëhet edhe më i kompromentuar”, u shpreh Petro Koçi.