Hapësire reklamuese

Politikë

Mesazhet e koduara të Arben Ahmetaj: Kërcënimi se do ikja në të s’ëmës, marrja peng e partneres, sms-ja nga burgu dhe letrat që implikojnë Veliajn

Shkruar nga Newsbomb
Mesazhet e koduara të Arben Ahmetaj: Kërcënimi se do ikja në

Ish zv/kryeministri dhe deputeti socialist Arben Ahmetaj ka humbur imunitetin që i jepte posti, pas seancës së posaçme të zhvilluar sot në Kuvendin e Shqipërisë. Me 117 vota Pro, kolegët votuan që SPKA të kontrollonte shtëpinë e tij dhe ta arrestojë, sapo Ahmetaj të shkelë në vendin tonë.

Por deputeti socialist e dinte se çfarë do të ndodhte dhe një orë para seancës së orës 10.00, ka publikuar një mesazh të gjatë në llogarinë e tij në Facebook. Një mesazh ku ai flet për akuzat e SPAK, por tregon edhe "manovrat" për ta larguar nga pushteti, si dhe "letrat" që sipas tij implikojnë të tjerët në mazhorancë.

Newsbomb.al sjell disa nga mesazhet e koduara në shënimin e Arben Ahmetaj.

Rasti i parë për të cilin shkruan politikani socialist është shkarkimi nga posti si zv/kryeministër një vit më parë. Arben Ahmetaj thotë se ky vendim ishte një sinjal "për të gjitha kafshët e pyllit".

"E kam perjetuar diku me qetësi, diku me “buzëqeshje të brendshme”, diku me revoltë të brendshme, nxitimin triumfues të largimit një vit më parë, totalisht një sinjal për “të gjitha kafshët e pyllit”, kërcënimin me demek indirekt në një forum partie “se do ikja në të s’ëmës”, habinë dhe thyerjen kur mora vesh se kush nga “tanët” ( së bashku me ata që më duan të vdekur, sic tha Fevziu në Opinion përpara disa muajsh), promovuan mercenarët të shërbenin kundër meje, “marrjen peng” të bashkëjeteueses time dhe ish-bashkëshortes time, e më pas kontrollet spektakolare të emetuara si të ishin kallëpe të dala nga goja, e banesave,  ku lajmi shkonte më parë në media sesa procesverbali në zyrat e institucionit, të qenit një “black falling star” në një media kombëtare që e kam dashur dhe respektuar shumë...", shkruan ai.

Rasti tjetër që del nga mesazhi i Arben Ahmetaj është dhe frikësimi dhe ndalimi i miqve për t'u takuar me të, fill pas shkarkimit. Deputeti socialist thotë se njerëzit që ai promovoi në poste të ndryshme, 90% e tyre, janë ndaluar të takohen me të.

"Ahhh, harrova se si filloi, me frikën dhe stopimin e 90% të atyre që punoja në nivelet e larta në politikë apo ekzekutiv, e që dikur ndoshta i kam mbështetur e promovuar (me ato mundësi të miat), për të bërë atë që kishim bërë ndër vite, të ishim miq e shokë. 

I kuptoj që “duhet” të kishin e kenë frikë, ndoshta.  Nuk i mirëkuptoj, po e di që ishte gjendur “armiku” që do dimensionohej e ridimensionohej më pas në shumë episode", vijon mesazhi i Ahmetaj.

Letrat që po fshihet, por që një ditë do të dalin, thotë politikani socialist. Arben Ahmetaj shkruan se këto dokumente lidhen me procedurat e prokurorit të inceneratorëve, për të cilat ai mohon te këtë pasur përfshirje, por dikush po përpiqet që t'i fshehë ato.

"Pozicionet e mia zyrtare në Ministri të Ekonomisë apo Financave nuk marrin pjesë në procedura. Letrat janë atje. S’kam marrë pjesë në procedurat e inceneratorëve. Letrat do dalin, e nëse dikush do të kërkojë t’i fshehë, do dalin gjithsesi", vijon mesazhi i tij.

Në një moment, Arben Ahmetaj lë të kuptohet se ka marrë dhe mesazhe "mirëseardhje" nga burgu. Nëse do ta meritojë, sigurisht që do ndodhi, thotë ai teksa bën me dije se ka marrë kërcënime të cilat i ka me fotografi dhe me zë.

"Kam marrë kërcënime (i kam me screenshot e me zë ndoshta), madje së fundi dhe një mesazh triumfi  si mirëseardhje…Nëse do ta meritoj, sigurisht që do ndodhi…po jo përpara se e vërteta të marrë rrugë e dritë."

Ish-ministri socialist shkruan dhe për "letra" që përfshijnë e implikojnë në aferën e inceneratorëve dhe kryebashkiakun Erion Veliaj. Ky i fundit është përfolur shpesh si personi që ka kërkuar procedurën e inceneratorit të Tiranës. Arben Ahmetaj i referohet dhe një lajmi të djeshëm të Qendrës BIRN, e cila referuar dokumenteve të Prokurorisë së Posaçme informonte se Erion Veliaj ishte kërkuesi i inceneratorit të Tiranës.

"Shpresoj të dalin sa më shumë shkresa e letra të miat, si ato që BIRN nxori dje, që qytetarët të kuptojnë (aq sa mundet), që puna “e fytyres së ngrysur” ka qenë në interes të publikut", shkruan Ahemtaj. Për të lexuar lajmin e Birn të cilit ai i referohet (KLIKO KËTU).

Në fund, Arben Ahmetaj i kërkon familje familjes së tij, vajzave dhe lë gjithçka të hapur duke folur për "letra" të tjera që do të dalin. Zoti e di të vërtetën shprehet ai, ndaj do të mundohet çdo ditë për të nxjerrë letrat që të "tjetër përpiqen t'i fshehin".

"I kërkoj të falur dhe votuesve të mi, po Zoti e di të vertetën, që unë do mundohem ditë pas dite ta nxjerr. To be continued…"

Lexo lajmin: Arben Ahmetaj shkruan gjerë e gjatë dhe paralajmëron nga arratia: Letrat janë aty, unë do t’i nxjerr ditë pas dite! I kërkoj falje vajzave

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese