Është mbyllur në barazim supersfida e javës së 16 në Serie mes Juventusit dhe Interit. Juventus u shfaq gjatë gjithë ndeshjes më shumë dominues duke humbur shumë raste të pastra shënimi. Mundësitë më të mira për të shënuar do t’i kishte Mario Manxhukiç, por që u tregua i pasaktë para portës i ndalur edhe nga “supër Handanoviç”, që mbrëmjen e sotme ishte në formë.
Nga ana tjetër Inter u përpoq më shumë të mos pësonte dhe vetëm me anë të disa kundërsulmeve u përpoq ta vinte në vështiësi mbrojtjen “bardh e zi”. Në një nga këto aksione, mbrojtësi i Juventusit Benatia e kapi topin me dorë brenda zonës së portierit, por që arbitri nuk e pa dhe nuk i sinjalizua asnjë faull.
Pas kësaj sfide Inter është në vendin e parë me 40 pikë në pritje të ndeshjes së Napolit që luan nesër, ndërsa Juventus është në kuotën e 38 pikëve në vend të tretë për momentin.