Tirana
broken clouds
16.5 ° C
16.5 °
16.5 °
55 %
1.5kmh
75 %
Sht
15 °
Die
19 °
Hën
20 °
Mar
21 °
Mër
21 °
E shtunë, 16 Tetor, 2021
spot_img

Merr fund gjendja e fatkeqësisë natyrore, ISP nxjerr 5 treguesit KRITIKË gjatë kësaj periudhe

spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

18b3b02c6d56496bc6946f4ee62c5c86

Më 24 qershor mori fund zyrtarisht periudha “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, e miratuar në të njëjtën në mars 2020 dhe e shtyrë 60 ditë më 20 prill 2020. Gjatë kësaj periudhe jeta politike, shtetërore dhe publike në Shqipëri pësoi ndryshime të mëdha dhe në aspektin vendimmarrës, pati praktika të shumta eksperimentale, sic ishin aktivitetet online dhe qeverisja përmes akteve normative.

 

Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka monitoruar zhvillimet në vend në periudhën e COVID-19, proces që do ta vijojë edhe në javët e muajt në vazhdim. Në përfundim të fazës aktuale në aspektin ligjor dhe legjislativ pesë janë elementët që duhen theksuar.

Së pari, që nga muaji mars 2020 Këshilli i Ministrave ka nxjerrë rreth 17 akte normative më fuqinë e ligjit, në funksion të situatës me COVID-19. Të gjitha aktet janë miratuar në Kuvend në seancat e muajit prill 2020. Vlerësimi dhe miratimi i tyre është bërë në mënyrë formale dhe administrative, pa konsultim publik dhe pa të dhëna sqaruese të detajuara për qytetarët. Pjesa më e madhe e tyre nuk arritën të shkojnë tek qytetarët duke krijuar paqartësi, interpretime mediatike dhe pamundësi reale në respektimin intregal të tyre. Gjithashtu aktet, sidomos gjatë shqyrtimit e miratimit në Kuvend, nuk janë shoqëruar me llogaridhënie për efektet dhe impaktin e tyre në shoqëri dhe në shtet. Mungesa e një mekanizmi konsultimi dhe e standardeve të transparencës krijoi situata paradoksale, siç ishte detyrimi i Këshillit të Ministrave më 17 prill 2020 për nxjerrjen e aktit normativ nr. 16, sipas të cilit faleshin të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues gjatë periudhës së COVID-19, gjoba të cilat de facto ishin vendosur apriori dhe pa asnjë bazë ligjore referuese. Qeveria njoftoi se rreth 7100 qytetarë përfituan nga falja e gjobave, çfarë tregon se deri në atë moment së paku 7100 qytetarë ishin penalizuar në mënyrë të parregullt dhe se të drejtat e tyre ligjore dhe kushtetuese ishin cënuar.

Së dyti, të gjitha vendimet iu referuan Komitetit Teknik të Ekspertëve, i cili do të duhej të përbëhej nga ekspertë dhe do të duhej të ishte pikë referimi për institucionet dhe publikun. Nga të dhënat e deritanishme, asnjëherë nuk u bënë publike përbërja dhe as vendimmarrjet e këtij Komiteti, nuk kemi ende asnjë raport publik të tyre, nuk kemi asnjë analizë dhe asnjë rekomandim zyrtar e publik. Në çdo rast kemi deklarata të kryeministrit apo ministrit përgjegjës që i referohet Komitetit, por nuk ka provë publike e shkresore për vërtetësinë e këtij referimi. Për më tepër, nga monitorimi i arkivit të Ministrisë së Shëndetësisë rezulton se Komiteti drejtohet nga Ministri dhe zv/ministri, dy zyrtarë të lartë politikë, një devijim nga praktikat e Komiteteve Teknike dhe një model që nuk gjendet në asnjë prej vendeve të BE.

Së treti, gjatë periudhës së COVID-19 pati vendime dhe nisma të rëndësishme politike, siç ishin ndryshime në Kodin Penal, Pakti për reformën zgjedhore, ndryshime në legjislacionin mbi investimet strategjike, nisma për ligjin e Policisë së Shtetit apo për amnisti fiskale, etj, siç pati raportime vjetore të institucioneve të pavarura në Kuvend. Pothuajse në të gjitha rastet, me përjashtime të pakta, nismat, debatet, vendimmarrjet dhe raportimet vjetore u shoqëruan pa konsultim publik, pa transparencën e nevojshme dhe në injorim të standardeve të larta të parlamenteve në vendet anëtare të BE, ku Shqipëria synon të aderojë.

Së katërti, qytetarëve iu kërkua vazhdimisht respektimi i masave mbrojtëse ndaj COVID-19 dhe pati raste të shumta të penalizimeve administrative për qytetarët që nuk respektuan këto masa. Po ashtu, të njëjtat praktika u ndoqën edhe për biznesin. Nga ana tjetër, zyrtarët më të lartë, përfshirë kryeministri, ministra, kryetarë bashkish, si dhe opozita politike, ishin shkelësit kryesorë të ligjit në aspektin e masave mbrojtëse, duke zhvilluar aktivitete publike (mitingje, koncerte, ceremoni, takime kolektive, dalje pa mjete mbrojtëse, etj), të cilat nuk u lejoheshin qytetarëve dhe se organet përgjegjëse të ligjit aplikuan standarde të dyfishta e diskriminuese midis kësaj kategorie dhe qytetarëve të thjeshtë.

WhatsApp-Image-2020-03-24-at-22.15.20-844x579-768x527_1.jpeg

Së fundi, COVID pezulloi tërësisht aktivitetin e sistemit gjyqësor duke krijuar një tjetër kosto për drejtësinë e munguar dhe të drejtat kushtetuese. Po ashtu, gjatë periudhës së COVID-19 vijuan nënshkrime të kontratave me vlera të mëdha financiare në kuadër të programit të PPP apo investimeve strategjike, të pashoqëruara me praktikat e mira të transparencës publike. Burimet shtetërore u përdorën gjerësisht në funksion të mbështetjes sociale për qytetarët, por pa pasur një sistem publik verifikimi të të dhënave dhe të mënyrës së menaxhimit të shpenzimeve. Gjithashtu, vëzhguesit e ISP kanë shënuar rreth 32 raste të inaugurimeve shtetërore të banesave, rrugëve, ndërtimeve, etj, të financuara nga donatorë privatë anonimë, pa bërë publike emrat e tyre, shifrat e dhëna, verifikimet e procedurave dhe të rasteve të konfliktit të interesit, etj. Kuvendi, organi i vetëm që kontrollon pushtetin ekzekutiv, asnjëherë nuk i ka adresuar dhe as përfshirë në axhendë debati çështje të tilla me rëndësi për nivelin e shtetit të së drejtës dhe mirëqeverisjes.

ISP ka bindjen se praktika e vendimmarrjeve formale, pa respektuar standardet demokratike dhe ligjore të konsultimit publik dhe pa i shoqëruar ato me seancë pyetjesh, me interpelanca apo me një komision hetimor / monitorues mbi sjelljet e pushtetit ekzekutiv gjatë periudhës së pandemisë, janë tregues kritikë për cilësinë e aktivitetit parlamentar në Shqipëri dhe për dobësitë në jetësimin e parimit të ndarjes dhe të balancës së pushteteve.

Mjaftojnë këto elementë për të kuptuar nevojën e madhe që ka shteti e shoqëria për të krijuar një sistem funksional standardesh dhe praktikash të qëndrueshme, të përdorur sa herë kemi situata të njëjta (tërmeti 2019, COVID-19), si dhe të mos lejuar që në emër të emergjencës të privohen liritë kushtetuese, përgjegjësitë ligjore dhe funksionet organike të institucioneve kryesore vendimmarrëse në Shqipëri.

Instituti i Studimeve Politike (ISP)

spot_imgspot_img

Më shumë

spot_imgspot_img
spot_img
spot_img
spot_img