Dy të moshuar janë shpëtuar sot nga një patrullë e forcave “Shqiponja”, e cila po patrullonte në lagjen “Emin Matraxhiu” të Elbasanit. Bombula e gazit që ata kishin në shtëpi ka marrë flakë duke u rrezikuar seriozisht jetën .
Fatmirësisht, “Shqiponjat” kanë qenë duke patrulluar si zakonisht në zonë dhe menjëherë sapo kanë dëgjuar zhurmën në katin e dytë të shtëpisë, kanë ndërhyrë. Referuar dhe njoftimit zyrtar të Policisë, dy të moshuarit janë shpëtuar në kohë nga efektivët dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
“Rreth orës 14:40, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan, gjatë patrullimit në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, kanë konstatuar zjarr në katin e dytë të një banese.
Punonjësit e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit, që dyshohet se është shkaktuar për shkak të rrjedhjes së gazit nga një bombol.
Gjithashtu i kanë dhënë ndihmën e parë dy të moshuarve që ishin në banesë, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thotë Policia.