Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku në një deklaratë për mediat ka dhënë detaje në lidhje me operacionin në shkallë kombëtare “Tempulli 2“.
Rrumbullaku tha se Megaoperacioni është shtrirë në shkallë kombëtare dhe janë përfshirë të gjitha drejtoritë vendore në bashkëpunim. Gjithashtu tregoi se nga 295 urdhërndalime janë arrestuar në flagrancë 273 persona si dhe janë goditur 7 grupe kriminale.
“Policia e Shtetit prej dy muajsh ka qenë e përfshirë në një megaoperacion në shkallë kombëtare për goditjen e fenomenit të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Operacioni “Tempulli 2” ka filluar në ditët e para të muajit dhjetor.
Në operacionin e shtrirë në të gjithë vendin janë përfshirë të gjithë Drejtoritë Vendore të Policisë. Ka qenë një operacion i suksesshëm i cili vazhdon të jetë akoma në vijim. Janë nisur 66 hetime për goditjen e grupeve kriminale, janë marrë 295 urdhëra ndalimi dhe vendime arresti, si dhe 306 vendime kontrolli, ndërsa 26 persona janë shpallur në kërkim. Policia ka arritur të kapë në flagrancë 273 shtetas dhe janë sekuestruar provat materiale. Faza e dytë e operacionit nuk lidhet vetëm në shkollat, por me të gjitha zonat e banimit." - tha Rrumbullaku.
Mbi këtë megaoperacion ka folur dhe Ministri i Brendhsëm, Taulant Balla ku theksoi se sasia e lëndëve narkotike të sekuestruar gjatë megaoperacionit, është e konsiderueshme.
"Dua të përgëzoj Policinë e Shtetit, të gjitha drejtoritë vendore të policisë, të cilat nën koordinimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe të Departamentit të Luftës Kundër Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme, kemi arritur të realizojmë një fazë të dytë të operacionit kombëtar “Tempulli”. “Tempulli 2” ka disa suksese ne fakt, ku unë do doja të nënvizoja faktin që ka qenë një operacion i madh në shkallë kombëtare.
Suksesi i parë lidhet me faktin që nuk kemi pasur asnjë rrjedhje të informacionit dhe numri i madh i urdhrave të ndalimit të lëshuara nga prokuroria janë realizuar të gjitha me sukses. Ndërkohë që ne po flasim një pjesë e forcave të policisë janë në territor për të vazhduar më tej realizimin e këtij operacioni.
Jo pa qëllim kemi zgjedhur të jemi pranë një shkolle të mesme, dhe të gjithë biem dakord, siç biem dakord me të gjithë prindërit dhe të gjithë banorët se na duhet domosdoshmërisht ta rrisim prezencën tonë në territor për të garantuar shkolla të sigurta. Paketa e sigurisë në shkolla është një nga sukseset tona të para, e cila do vazhdojë të konsolidohet."