
Drejtoria e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ka goditur së fundmi një rrjet të gjerë që vijon të funksionojë në paligjshmëri në vendin tonë në fushën e lojërave të fatit.
Newsbomb.al mëson se në kuadër të këtij megaoperacioni janë vënë në pranga 40 persona si dhe janë proceduar penalisht 50 të tjerë. Vlen për tu theksuar që pjesa më e madhe e personave të ndaluar i takojnë Tiranës, ku ndërhyrja policore është drejtuar nga Departamenti i Krimit Kibernetik i kryeqytetit.
Gjatë operacionit në ambientet e përshtatura për organizimin e paligjshëm të lojrave të fatit efektivët e policisë kanë arritur të sekuestrojnë shuma të mëdha parash, kompjuterë të lojërave të fatit, dhjetëra aparate celulare si dhe aksesorë të tjerë që shërbenin për organizimin dhe implementimin e aktivitetit kriminal.
Ky aksion policor ka ardhur me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ku dhe janë përfshirë dhe struktura të tjera në Tiranë dhe në gjitha qarqet e vendit. Sipas asaj që newsbomb.al mëson aksioni i nisur mbëmjen e së mërkurës ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, përkatësisht deri në orën 04:00. Drejtoritë përkatëse janë duke u marrë me veprimet proceduriale dhe në vijim presim njoftimin zyrtar.