Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Mediat ndërkombëtare jehonë vizitës së Blinken: Shqipëria aleat kyç i SHBA në rajon

Shkruar nga Newsbomb
Mediat ndërkombëtare jehonë vizitës së Blinken:

Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar artikuj të zgjeruar vizitës së sekretarit amerikan të shtetit në Tiranë, duke e cilësuar Shqipërinë si aleat kyç rajonal që kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“ABC News” , “Associated Press”, “US News”, “Anadolu” “Reuters” dhe shumë media të tjera ndërkombëtare në Europë dhe ato amerikane shkruajnë se vizita synon riafirmimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me aleatin kyç të Ballkanit.

Kështu, “ABC News” me artikullin i cili për titull ka “Sekretari amerikan i Shtetit viziton Shqipërinë, një aleat kyç rajonal që kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian” ka shkruar se vizita synon riafirmimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me aleatin kyç të Ballkanit, që mbështet Ukrainën në përballjen me Rusinë.

Rrjeti informativ ka nënvizuar se vizita ka në fokus të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, me Shqipërinë dhe fqinjët e saj që synojnë të aderojnë në Bashkimin Evropian.

“Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar lidershipin shqiptar në rajonin e gërryer nga lufta, si dhe rolin e tij në Këshillin e Sigurimit, si një vend anëtar jo i përhershëm”, - shkruan “ABC”, sipas të cilit tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë mund të trajtohen gjithashtu gjatë vizitës.

Edhe agjencia “Associated Press”, shkruan se Blinken do të takohet me zyrtarë të lartë dhe do të fokusohet në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor pasi Shqipëria dhe disa fqinjë kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

“Uashingtoni ka mbështetur fuqishëm integrimin e Shqipërisë në BE.”- shkruan AP.

Edhe agjencia “US News” ka shkruar se vizita e Antony Blinken në Shqipëri tregon se është një aleat kyç i Uashingtonit në rajon.

Ndërsa në Evropë, agjencia “Anadolu” ka raportuar se gjatë vizitës në Tiranë, që do të pasojë me atë në Gjermani, Blinken mund të bisedojë për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe përpjekjet për paqen në Lindjen e Mesme. Gjithashtu raporton se  bëhet fjalë për një vizitë të rrallë të një sekretari Shteti në një vend të vogël, që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991.

Media ndërkombëtare  ka cituar zëdhënësin e Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller të deklarojë se: “Shqipëria është një partner jetik për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, që gjithashtu mbështet integritetin territorial të Ukrainës”.

Sipas rezymesë nga Departamenti i Shtetit, vizita do të fokusohet në të ardhmen e Shqipërisë dhe gjithë rajonit.

Lexo edhe: Mbërrin në Rinas sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Lexo edhe: Blinken në Tiranë, Hasani: Partneriteti strategjik i Shqipërisë me SHBA do forcohet

Ndalesa e parë e Blinken është në ambasadën e Amerikës në Tiranë në orën 13:35. Më pas rreth orës 14:15 sekretari Blinken do të takohet me aplikantët afganë për vizë emigruese speciale në Tiranë, Shqipëri.

Në orën 15:00 Blinken do të takohet me presidentin shqiptar, Bajram Begaj. Ndërkohë në orën 16:15 Blinken do të takohet me kryeministrin Edi Rama.

Gjithashtu rreth orës 18:10 Sekretari Blinken dhe kryeministri Edi Rama do mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë.

Sakaq ajo që vihet re nga axhenda është se në takimet e Blinken nuk përfshihet opozita shqiptare. Kujtojmë se ka qenë Blinken ai që shpalli non grata në Amerikë ish-kryeministrin Sali Berisha.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese