Gazeta e përditshme zvicerane "Tages-Anzeiger" i ka kushtuar një artikull ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, pas intervistës që ky i fundit dha mbrëmjen e djeshme për Syri TV, ku shënjestroi direkt kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj si pronarë të inceneratorit të Tiranës.
Shkrimi mbanë autorësinë e gazetarit shqiptar Enver Robelli, i cili punon në departamentin ndërkombëtar të “Tages-Anzeiger” që nga viti 2000.
"Arben Ahmetaj kërkohet nga drejtësia shqiptare me urdhër-arresti pasi mësohet se ka përvetësuar shumë para. Tani ai ka dhënë një intervistë shpërthyese – me sa duket nga Zvicra", thotë artikulli, duke vazhduar "Vendi ku u takuan dy burrat nuk u zbulua. Por sipas disa burimeve intervista ka ndodhur në Zvicër."
"Tages-Anzeiger" ka kërkuar informacion dhe nga Sekretariati Shtetëror për Migracionin në Zvicër për mundësinë e aplikimit për azil nga ish-numri dy i qeverisë shqiptare, por institucioni nuk ka dashur të komentonte rastin “për arsye të të dhënave dhe mbrojtjes personale”.
"Vendi ku u takuan dy burrat nuk u zbulua. Por sipas disa burimeve intervista ka ndodhur në Zvicër. Këtu mësohet se politikani Arben Ahmetaj fshihet nga drejtësia shqiptare, madje flitet për një kërkesë për azil. Ai tani jeton në një apartament që i përket një komune në vendin pritës", vijon artikulli.
Megjithatë, gazeta e përditshme zvicerane thotë se Shqipëria konsiderohet si vend i sigurt origjine në Zvicër që nga viti 2014 dhe azilkërkuesit shqiptarë nuk kanë pothuajse asnjë shans të përfitojnë qëndrim.
"Prandaj, autoritetet në Tiranë mund të kërkojnë ekstradimin e Ahmetajt nëse ai ndodhet në Zvicër. Por deri tani fjala e vetme zyrtare është se nuk e dimë se ku është Ahmetaj", thotë shkrimi, duke bërë një paralelizëm me rastin e policit Dritan Zagani, i cili mori azil në Zvicër për shkak të kërcënimeve në Shqipëri.
Lexo edhe: “Tagesanzeiger” artikull për Ahmetajn: A ka aplikuar për azil në Zvicër ish-ministri?
© Newsbomb.al