
Drejtori i Përgjithshëm i Meta, Mark Zuckerberg duket se është duke menduar edhe për fundin e botës, nëse do të ketë një të tillë.
“Wired” shkruan se miliarderi është duke ndërtuar një kompleks superluksoz prej 100 milionë euro në Hawaii. Dhe jo vetëm që do jetë vilë luksoze, por do të ketë edhe një strehë nëntokësore të pavarur nga energjia dhe vetë-mjaftueshme për ushqim.
Brenda kompleksit që do jetë më i avancuari, i cili ndodhet në ishullin Kauai, do të ketë disa ndërtesa me dy pallate qendrore të lidhura me një tunel nëntokësor që të çon në strehën prej 5000 metrash katrorë.
Sipas Wired, streha nëntokësore do të ketë gjithashtu një derë betoni dhe çeliku shumë rezistente ndaj shpërthimeve, zjarreve apo përmbytjeve. Hyrja për në këtë strehë nuk do të jetë e lehtë pasi çdo derë do të ketë sisteme sigurie të koduara. Të gjitha dhomat janë të izoluara nga zëri, ndërsa biblioteka ka një derë të fshehtë . Kamerat e sigurisë do të jenë në çdo cep të kompleksit, ndërsa rreth tij do të ketë një mur prej gjashtë metrash të lartë.